Editoriali: Kufiri që mund ta rrëzojë Qeverinë

  • 15 April 2017 - 17:11
Editoriali: Kufiri që mund ta rrëzojë Qeverinë

Edhe pse nuk është përgjegjësi e tij, sepse marrëveshjen e nënshkroi ish-zëvendësi, tash president, kryeministri Isa Mustafa mund ta përmbyllë më shpejt mandatin, për shkak të dështimit eventual të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Së fundmi, kreu i Qeverisë e bëri të qartë se nëse Kuvendi nuk e ratifikon marrëveshjen qeveritare, nuk ka më arsye që të funksionojë kjo legjislaturë. Edhe pse është iniciuar tashmë një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit, mocioni i vërtetë është vota për Demarkacionin. Koalicioni, edhe pse formalisht ka të paktën 90 vota, praktikisht e ka tepër të vështirë të sigurojë dy të tretat e nevojshme, për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare. Disa deputetë në radhët e PDK-se e të LDK-së hezitojnë ta votojnë marrëveshjen e dyshimtë, ndërsa vetë partnerët në pushtet nuk janë unikë në qëndrimet e tyre.

Nëse LDK-ja këmbëngul që të kalohet marrëveshja, PDK-ja nga ana tjetër ka lënë të hapura mundësi konsensusi me opozitën. Sipas të gjitha gjasave, Demarkacioni me Malin e Zi mund t'i mbetet barrë Qeverisë së ardhshme. Duke e parë vrullin elektoral të kryetarit të Partisë Demokratike, si dhe rënien e jetës parlamentare, ideja e zgjedhjeve të parakohshme bëhet gjithnjë e më e besueshme. Partitë e mëdha, kështu, të paafta për të shtyrë përpara proceset, mund ta çojnë Republikën drejt kutive të votimit sërish, me procese të bllokuara dhe pa alternativë dalëse. Basti i kryeministrit për Demarkacionin është i rrezikshëm, por si duket, edhe vetë ai është bindur se nga kjo bllokadë duhet të dilet në një farë mënyre, qoftë edhe me zgjedhje të reja parlamentare. Është e padrejtë që të mbahet peng Kosova, për një marrëveshje, prandaj zgjedhjet mund të rihapin mundësitë për ta normalizuar vendin. Kur institucionet e humbasin legjitimitetin dhe nuk arrijnë të zhbllokojnë proceset, atëherë duhet ritestuar fuqia politike e secilit. Nga ky rast, duhet të nxjerrin mësim të gjitha ata që injorojnë zërat kritikë dhe kundërshtarë të veprimeve qeveritare. 

(Kosova Sot)