Editoriali: Vetëm ligji i mirë nuk mjafton

  • 19 April 2017 - 17:04
Editoriali: Vetëm ligji i mirë nuk mjafton

Pas disa zvarritjeve në Kuvendin e Kosovës, u miratua Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, që sipas ndërkombëtarëve mënjanon ndërhyrjen politike në ekzekutimin e sanksioneve penale. Ky ligj zbatohej që prej vitit 2013, por ishin vërejtur mangësi të shumta gjatë zbatimit. Ky është edhe një rast tjetër, se si Kuvendi, miraton legjislacion shkel e shko apo edhe me vetëdije, për të krijuar mjegull ligjore, sidomos kur është fjala për ndëshkime, që mund të prekin edhe vetë ata apo lidhjet e tyre klienteliste dhe korruptive. Ambasadori amerikan sidomos kishte shprehur kritikat e tij për neglizhencën e deputetëve, që nuk po e miratonin ligjin në fjalë, duke ua lënë hapur mundësinë politikanëve dhe të inkriminuarve, që të shfrytëzonin hapësirën ligjore për zvogëlimin e dënimeve. Ndryshimi i nenit 94 të ligjit është thelbësor, sepse ministri si i emëruar politik kishte mundësi të pezullojë ekzekutimin e dënimit dhe është vlerësuar si mundësi për ndërhyrje politike në drejtësi. Një gjë e tillë e cenonte edhe pavarësinë e ndarjes së pushteteve, duke krijuar rrethana për ushtrim të ndikimit politik në drejtësi, gjë që ka ndodhur shpesh në vendin tonë. Kjo mundësi pezullimi për ekzekutimin e dënimit tash i është bartur gjykatës si institucion kompetent për çështje të tilla. Por, në kushtet e Kosovës, edhe pse ka ndodhur ndryshimi ligjor, mundësitë për abuzim janë të njohura me këto gjykata që i kemi aktualisht. Ndikimi i jashtëzakonshëm politik ka bërë që edhe sistemi i drejtësisë të jetë larg standardeve të kërkuara e si rrjedhojë, në vend se të prodhojë drejtësi, prodhon padrejtësi. Të bësh ligje më të mira, më të qarta, është vetëm një garanci për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por t'i zbatosh ato me përpikëri është sfida ende e patejkaluar për institucionet kosovare. Janë një mori ligjesh, shumë të mira, të cilat shpesh nuk përfillen nga ata që do të duhej të ishin shembull i zbatimit të tyre. Shpresojmë që mos të përsëritet kjo histori me Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale. 

(Kosova Sot)