Editoriali: "Kërcënimet" për bashkim

  • 20 April 2017 - 17:30
Editoriali:

Brenda një kohe të shkurtër, dy liderët kryesorë të Shqipërisë dhe të Kosovës "bombarduan" opinionin publik me deklaratat e tyre populiste për bashkimin kombëtar. Në fakt, koncepti i tyre për këtë bashkim është një opsion rezervë, si kundërpërgjigje ndaj hezitimit të BE-së për t'ua hapur dyert shqiptarëve, në rastin e Shqipërisë për anë- tarësim dhe në rastin e Kosovës, së pari për liberalizim vizash. Është fare e qartë se as presidenti i Kosovës, por as kryeministri i Shqipërisë nuk është se e kanë vënë ujin në zjarr për bashkimin kombëtar dhe kjo është lehtësisht e matshme. Raportet dypalëshe janë të njëjta si me shtetet e tjera fqinje dhe nuk ka kurrfarë dallimi thelbësor në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë. Raportet tregtare janë fare të dobëta. Në përgjithësi, edhe pse ka pasur disa mbledhje të përbashkëta qeveritare ku janë nënshkruar disa memorandume e marrëveshje, në praktikë ka shumë sfida dhe pengesa në rrafshe të ndryshme. "Kërcënimet" për bashkim kombëtar, nëse BE-ja na e kthen shpinën, janë deklarata të politikanëve të frustruar, të cilët nuk po arrijnë t'i udhëheqin shtetet respektive në forcimin e demokracive, sundimin e ligjit, ekonominë e tregut të lirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, të dy liderët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë arritur të bëjnë dekriminalizimin e institucioneve dhe të shkëputen nga politika e inkriminuar. Si rrjedhojë, edhe pozicioni i Brukselit është tepër i qartë se nuk do të mbështeten politikanët e inkriminuar dhe shtetet që nuk janë në gjendje të shkëputen nga kriminalizimi i drejtësisë në mënyrë të veçantë. Në këtë kohë të hapjes dhe integrimeve është absurd të dalësh me deklarata të tilla, për një bashkim kombëtar në rrethana izolimi. Në të vërtetë, bashkimi mund të ndodhë, por sigurisht jo me liderët e sotëm, të cilët prioritet e kanë pasurimin e tyre dhe jo avancimin e çështjes kombëtare. 

(Kosova Sot)