Editoriali: Prokuroria Speciale, (a) nuk po i sheh "ujqit" Devolli dhe të tjerët?

  • 21 April 2017 - 17:02
 Editoriali: Prokuroria Speciale, (a) nuk po i sheh

Në gjuhën shqipe është një shprehje….unë them ja ujku, ai kërkon gjurmët…për të treguar se si dikush tenton të fshehë një të vërtetë, duke u munduar të fitojë në kohë dhe ta mjegullojë realitetin. Edhe Prokuroria kosovare, pasi nuk është duke i parë "ujqit" e stërpasuruar nga krimi duke zhvatur pasuritë publike, po zotohet se do të ndjekë hap pas hapi gjurmët e tyre. Nëse do të ketë vendosmëri, guxim,profesionalizëm, objektivitet dhe paanshmëri politike, me siguri çdo proces hetimor do të nxjerrë në bankën e të akuzuarve plot zyrtarë e biznesmenë, drejtorë e ish-drejtorë, anëtarë bordesh e agjencish, ministra e ish-ministra, deputetë e ishdeputetë, etj. Por, sa i plotësojnë këto kritere prokurorët kosovarë?

Në radhët e tyre, me siguri, ka edhe të ndershëm, që gjithsesi duan të punojnë të pavarur, sipas ligjit dhe në shërbim të qytetarëve, por, gjithashtu, ka plot të kompromentuar apo të gatshëm për t'u shitur, për t'iu nënshtruar skemës mafiokriminale që dirigjohet nga oligarkia e pushtetit dhe mafio-biznesit të pistë. Kur klani i inkriminuar "Pronto" arriti të zhysë në llumin e tij edhe puritanët e Lëvizjes "Vetëvendosje", blerja e ndonjë prokurori duket diçka tepër e lehtë. Gjasat, pra, të një adresimi të përgjegjësisë penale, që e kërkoi edhe kryeministri para deputetëve, janë minimale, për sa kohë shteti është i kapur, pikërisht nga korporatat kriminale që po përfitojnë me skema të inkriminuara edhe në Arbitrazhe ndërkombëtare. Ka vite që shkruhet,thuhet e raportohet, dokumentohet, por organi i akuzës, as që e ka marrë mundimin të hetoje e të bëjë diçka konkrete.

As ndërkombëtarët, UNMIK-u më herët, e pastaj EULEX-i nuk treguan asnjë rezultat, edhe pse kishin kompetenca të mëdha ekzekutive. Falë lidhjeve tepër korruptive, klienteliste, disa tani mafio-biznesmenë i shumuan milionat për vete dhe tutorët politikë, duke sfiduar rregulla e ligje, Kushtetutën dhe Konventën Evropiane, sepse vetë emëronin e shkarkonin prokurorë e gjykatës të dyshuar, e bile edhe të inkriminuar. Në një vend të tejkorruptuar, askush nuk mund të forcohet rastësisht në botën e biznesit të inkriminuar pa një mbështetje të fuqishme dhe të gjerë edhe nga të tre pushtetet, pra edhe nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Fshati që duket nuk do kallauz, zoti Kryeprokuror i nderuar! Veproni dhe zbatojeni ligjin për të gjithë të inkriminuarit, në të gjitha rastet, pa dallim, ashtu siç edhe u premtuat qytetarëve dje publikisht! Populli këtë e pret nga ju, sepse ende shpresojnë dhe e duan sundimit e ligjit dhe shtetin ligjor!?

(Kosova Sot)