Editoriali: Edhe të ndershëm, edhe të korruptuar nuk shkon

  • 24 April 2017 - 17:13
Editoriali: Edhe të ndershëm, edhe të korruptuar nuk shkon

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, në radhët e Lëvizjes "Vetëvendosje" kemi parë dy zhvillime që tërhoqën vëmendjen e opinionit publik. Ky subjekt, që sidomos nga simpatizantët e tyre të mashtruar shihet si i vendosur kundër korrupsionit, klientelizmit, nepotizmit etj., është përfshirë fuqishëm, përmes bashkëkryesuesve të saj në Prishtinë, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu, në skandalin e jahtit. Ky i pari u fotografua duke qëndruar në jahtin që është pronë e oligarkëve 'Devolli', në Budvë, të njohur për monopolet e kundërligjshme në ekonomi dhe lidhjet e forta korruptive e kriminale me pushtetin qendror dhe atë komunal në Prishtinë. Edhe pse kreu i kryeqytetit vetëm fillimisht e mohoi se ka lidhje me Devollët, nga ana tjetër, në një fjalim në Kuvend, deputeti Albin Kurti sulmoi korporatën e tyre korruptive e kriminale, bazuar në argumente të njohura tashmë për publikun prej shumë kohësh. Kjo përpjekje për të bërë një lloj distancimi publik nga oligarkët e inkriminuar të biznesit mund të kishte kuptim vetëm nëse shoqërohet edhe me dorëheqjen e menjëhershme e të parevokueshme të Shpend Ahmetit me shokë, sepse janë pikërisht këta të Prishtinës, të cilët dyshohet se kanë krijuar lidhje klienteliste , korruptive e kriminale me biznesin tanimë të inkriminuar. Por, me gjasë edhe VV-ja, si çdo subjekt tjetër, nuk ka mundur t'i bëjë ballë joshjes materialiste e kriminale të pushtetit që me çdo kusht e duan dhe janë të gatshëm të lënë edhe kokën. Nëse do të ishte ndryshe, distancimi do të kishte tjetër përmbajtje, sepse vetëm një fjalim i thate i liderit në Parlament nuk mjafton. Rasti me qumështin pluhur e kancerogjen, i përmendur edhe nga vetë Kurti, është ilustrimi më i mirë. Pra, nuk mundesh edhe t'i sulmosh mafio-oligarkët, me të cilët bashkëpunon, edhe t'i kesh partnerë permanente kontraktualë përmes pushtetit që të është dhënë nga vota e qytetarëve. Mund të jetë realisht, pikërisht verdikti qytetar që do ta ndëshkojë shumë Shpend Ahmetin në tentativën eventuale të tij për një mandat të dytë, nëse më parë nuk përfundon aty ku e ka vendin. Edhe të predikosh rrejshëm ndershmëri dhe pastërti, edhe të përfshihesh në skandale e afera korruptive, sikur nuk shkojnë të dyja bashkë. Babëzia e pakufishme e politikanëve për t'u pasuruar me çdo kusht e çdo çmim, pa zgjedhur mjetin, po ua humb fare shpresën qytetarëve për ditë më të mira dhe, çka është më e rrezikshmja, po cenon e rrezikon edhe shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. Zyrtarët shtetërorë të të gjitha niveleve duhet të japin llogari për mospunën e tyre dhe përfshirjen në skandale të tmerrshme kriminale, në vend dhe jashtë tij.

(Kosova Sot)