Editoriali:Harrojeni liberalizimin sivjet!

  • 26 April 2017 - 17:12
Editoriali:Harrojeni liberalizimin sivjet!

Refuzimi i pritshëm i Brukselit për ta pezulluar kriterin e mbetur të liberalizimit të vizave-Demarkacionin me Malin e Zi, ia ka mbyllur rrugën kryeministrit Mustafa që ta shtyjë edhe më tutje këtë çështje. Pas dy vjet zvarritje, Kuvendi tashmë pritet ta ketë para vetes marrëveshjen e nënshkruar nga presidenti aktual i Kosovës, në atë kohë, në cilësinë e ministrit të Jashtëm dhe zëvendësit të Mustafës. Qeveria nuk ka kurrfarë sigurie në votat e deputetëve, disa prej të cilëve janë të vendosur për të votuar kundër ratifikimit, që kërkon dy të tretat e Parlamentit. Partnerët e koalicionit qeverisës e kanë thënë publikisht se dështimi i votimit e çon vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Duke e ditur se pa ratifikuar Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk pritet të ndodhë liberalizimi i vizave, është e qartë se shkuarja drejt kutive të votimit e bën edhe më të largët lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë. Nëse të gjithë gjërat do të shkojnë pa vonesa, pas rënies eventuale të Qeverisë, mbajtjes së zgjedhjeve dhe konstituimit të institucioneve të reja, që është zor e mundshme me këtë klasë politike, liberalizimi i vizave duket i paarritshëm gjatë këtij viti. Lufta për pushtet mes partive, duke shkelur mbi interesat e popullit, meriton ndëshkimin më të madh, të paktën përmes votës. Është e pafalshme, që dy parti të mëdha, të mos arrijnë të shtyjnë përpara një marrëveshje, qoftë edhe duke e rishikuar atë, nëse është e nevojshme dhe konstatohen gabime gjatë procesit negociator. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se kushdo që vjen nesër në pushtet, do ta ketë sërish në tavolinë një marrëveshje të tillë. Do të jetë shumë interesante se si do t'ua mbushin disa parti mendjen votuesve se do t'ua sigurojnë liberalizimin e vizave, përmes plotësimit të kriterit të Demarkacionit, të cilin deri sot e kanë kundërshtuar. Mungesa e unitetit politik në çështje nacionale vazhdon ta penalizojë Kosovën, që mbetet sërish në izolim.

(Kosova Sot)