Editoriali: Një Kuvend për t’u harruar

  • 27 April 2017 - 17:14
Editoriali: Një Kuvend për t’u harruar

Asnjëherë nuk ka pasur më tepër telashe, sfida, skandale, ngecje, abuzime, se në kohën e kësaj legjislature të Republikë së Kosovës. Por, kurrë më pak nuk është angazhuar Kuvendi për t'i adresuar të gjitha këto dukuri negative, për të kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi, për të ushtruar kompetencat e veta. Nuk ka një legjislaturë si kjo e sotmja, që ka qenë më e dobët në bërjen e ligjeve, në shtyrjen e proceseve të rëndësishme. Një Parlament funksional do ta kishte kryer me kohë Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, për t'ua dhënë qytetarëve të Kosovës mundësinë që të lëvizin lirshëm, pa viza në hapësirën e Shëngenit, e jo të presin me javë e muaj të tërë në dyert e ambasadave perëndimore, në pritje të një vize disaditore. Është papërgjegjësi e deputetëve, që nuk e shtynë përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje që ngjalli debate të shumta për parregullsitë në negociata.

Ky Kuvend dështoi që ta mbikëqyrë Qeverinë dhe u shndërrua në instrument partiak, klanor, nepotist, korruptiv, ku shumica e deputetëve shihnin vetëm interesat e tyre të ngushta, duke harruar se aty janë zgjedhur për të përfaqësuar interesin publik. Parlamenti dështoi të adresonte përgjegjësinë për skandalet më të mëdha -Arbitrazhet ndërkombëtare, që po e zhvatin Kosovën e varfër. Parlamentarët kosovarë, të lidhur me oligarkët, e mbyllën gojën para aferave megamilionëshe, duke lejuar që skemat mafioze të zhvilloheshin pa u penguar nga askush. Një legjislaturë e tillë nuk meriton të përsëritet dhe shumica e atyre që më tepër ngrohën ulëset, sesa bënë diçka tjetër të hairit nuk do të duhej as të figuronin në listat partiake. Nëse bazohemi në konceptin e të bërit politikë në Kosovë, të dëgjueshmit, me siguri do të jenë prapë në lista, ndoshta edhe më lart, kurse kritikët do të përjashtohen, sepse folën më shumë se ç'duhet. Kjo është "demokracia" kosovare.

(Kosova Sot)