Editoriali: Kodi i Heshtjes

  • 29 April 2017 - 17:13
Editoriali: Kodi i Heshtjes

Liderët autoritarë, sa më shumë e shohin se pushteti po u rrëshqet nga duart, aq më tepër marrin masa që ta betonojnë pozicionin e tyre. Një situatë e tillë, që është traditë e vendeve të Lindjes, dhe na rikthen në kohën e komunizmit, në një trajtë të ngjashme po shfaqet edhe në Kosovë. Një Komision, të cilin e ka themeluar presidenti Hashim Thaçi për ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale, e ka kriminalizuar shpifjen dhe fyerjen. Me ndryshimet e propozuara pritet të saktësohet si vepër e rëndë penale fyerja dhe shpifja ndaj udhëheqësve të shtetit, përfshirë presidentin. Sipas ndryshimeve, dënimet për shpifje ndaj atyre që i bëjnë ato janë deri në 5 vjet burg.

Një gjë e tillë është kthim mbrapa sa i përket rregullimit të legjislacionit për shpifjen dhe fyerjen, të cilat tash bëjnë pjesë në Kodin civil. Por, e vërteta është se nëpërmjet kësaj iniciative po provohet që Kodi penal të përdoret për qëllime politike dhe gazetarëve t'u mbyllet goja. Për shpifjen dhe fyerjen ekziston legjislacion i bollshëm për ndëshkimin e të gjithë atyre që veprojnë ashtu, por propozimet e komisionit tentojnë t'ua mbyllin gojën zërave kritikë, kundërshtarëve të liderëve në pushtet, që natyrisht kur kritikojnë i paraqesin argumentet e tyre. Në nenin 134 pika D thuhet: 1. Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anë- tarëve të tyre në këtë kapacitet në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës se Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet. Kjo nismë e mbrapshtë ligjore cenon lirinë e shprehjes dhe është një ambicie tipike erdoganiste e kreut të vendit. 

(Kosova Sot)