Editoriali: Republika e të papunëve

  • 02 May 2017 - 17:09
Editoriali: Republika e të papunëve

Është bërë rutinë tashmë që 1 Maji të shënohet si një ditë rekreacioni për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në medie, rrjete sociale, vërshojnë gjithfarë kritikash se pse populli nuk proteston në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Punëtorëve, por një gjë e tillë thuajse nuk i bën askujt përshtypje. Festa vazhdon dhe vetëm kushtet meteorologjike mund ta prishin atë. Kjo ditë është rasti më i mirë gjatë vitit për të parë se çfarë fuqie kanë sindikatat këtu në vendin tonë. Këto organizata nuk arrijnë të bëjnë bashkë as një grusht njerëzish, sepse e kanë huqur prej kohësh misionin e tyre. Oligarkët e pushtetit kanë arritur të kapin edhe vetë sindikatat, duke "blerë"krerët e tyre dhe duke ua mbyllur gojën.

Në kohën e zgjedhjeve, Qeveria plotëson ndonjë dëshirë sindikaliste apo ndërmerr rritje rrogash në sektorin publik, duke ndëshkuar kështu sektorin privat. Pabarazia që ka krijuar pushteti me politikat e mbrapshta e ka rrënuar konkurrencën edhe në këtë aspekt. Shumë njerëz, sot më tepër preferojnë të rrinë në kafe gjithë ditën, nëse nuk kanë një punë shteti, sesa të punësohen në sipërmarrjen private, ku natyrisht rregullat nuk janë si në sektorin publik.

Nëse në këtë të fundit rri në zyrë gjithë ditën e nuk bën asgjë, ndërsa paga ecën, në sferën private kërkohet shumë punë dhe mund, djersë dhe angazhim. Por, a nuk është kjo e dyta mënyra se si duhet ta çojmë Kosovën përpara?! Një Maji e gjeti Kosovën sërish me një papunësi rekord, e cila, edhe sipas vetë shifrave të Qeverisë, është alarmante. Një vend si i yni, me tërë këtë popullatë të re, ku më tepër se gjysma nuk kanë një vend pune e ka të vështirë të dalë nga skamja dhe izolimi. Kosova e vërtetë është kjo e të papunëve, hallexhinjve, të rinjve me diploma në xhep, por pa perspektivë dhe jo ajo e propagandës qeveritare!

(Kosova Sot)