Editoriali: Vijnë zgjedhjet, rriten pagat e shtetit për vota

  • 05 May 2017 - 17:14
Editoriali: Vijnë zgjedhjet, rriten pagat e shtetit për vota

Nëse zgjedhjet nuk do të trokisnin më herët, kryeministri i vendit nuk do ta nxirrte xhokerin e tij në tavolinën e Qeverisë, në mbledhjen e djeshme. Kjo, në fakt, mund të jetë mbledhja e fundit, sepse është e qartë tashmë, se koalicioni i ka ndarë rrugët. Sa herë përmendet rritja e pagave, era vjen zgjedhje. Këtë formulë e ka përvetësuar nga ishpararendësi i tij, Thaçi, edhe Isa Mustafa. Me dhjetëra mijëra të punësuar në sektorin publik, një rritje rrogash para votimeve do të thotë garanci për blerje votash.

Në njëfarë mënyre, ky është "korrupsioni" legal elektoral, të cilin e aplikojnë partitë në pushtet, për të blerë armatën më të madhe të votuesve. Kush ta rrit pagën, duhet t'ia japësh votën! Kësisoj, duke vazhduar me rritjen e pagave, për qëllime elektorale, po thellohet edhe hendeku me sektorin privat, i cili natyrisht nuk e ka arkën e shtetit, e as luksin për të hyrë minus qindra milionë, por i duhet të veprojë sipas ritmit ekonomik, ecurisë së biznesit, qasjes në burimet financiare, etj. Rritja e pagave, në parim, është gjë e mirë, sepse, sado që të rriten, janë ende të vogla në përgjithësi, për të përballuar koston e shtrenjtuar të jetesës.

Por, nga ana tjetër, një rritje e tillë do të duhej të shoqërohej edhe me reduktimin e të punësuarve në sektorin publik, që konsiderohet se janë tepricë, shtesa partiake, militantë, njerëz të panevojshëm, që marrin rroga pa bërë kurrfarë pune. Pagat le të rriten, por edhe t'i meritojnë dhe të bëjnë punën që kërkohet. Nëse arsimi dhe shëndetësia janë sektorët ku është paralajmëruar rritja, duhet të kërkohet edhe përgjegjësi më shumë. Kujtojeni vetëm raportin e PISAs, skandalet në shëndetësi, që na tregojnë se menaxhimi dhe performanca lënë shumë për të dëshiruar. Rritje rrogash ka pasur më herët edhe në Universitet, po shihni çfarë cilësie prodhohet aty. Ka mijëra të punësuar në sektorin publik, që marrin rroga të mira, por janë jofunksionalë. Rritja, sidomos kur është joelektorale, ka logjikë, kur shoqërohet edhe me masa të tjera konkrete, të cilat asnjë qeveri deri tash nuk i ka ndërmarrë.

(Kosova Sot)