Editoriali: Pse po bie Qeveria

  • 06 May 2017 - 17:11
Editoriali: Pse po bie Qeveria

Nuk duhet të jesh analist politik, as i afërt me asnjërin subjekt në pushtet, për të kuptuar se pas zhvillimeve të fundit, ditët e këtij koalicioni të dështuar, tashmë janë të numëruara. Nëse alibia deri tash ishte Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, tani është krejtësisht e qartë se as që ka të bëjë me këtë marrëveshje. Çfarë mund të presin qytetarët e Kosovës, kur kryetari i partisë më të madhe thotë se gjendja është e pakënaqshme dhe nuk ka vendimmarrje?! Është e kuptueshme se opozita, në asnjë moment nuk ka mundur ta rrëzojë Qeverinë me votat e saj, të pamjaftueshme, por mbështetja e mocionit nga deputetët e partnerit të LDK-së është një sinjal i qartë për kryeministrin Mustafa. Nëse shpërbërja e koalicionit nuk ndodh me marrëveshje politike, ashtu si ishte bërë, atëherë të mërkurën më 10 maj, sipas të gjitha gjasave, PDK-ja do t'ia përshpejtojë rrugën liderit të saj, për t'ia zënë vendin kryeministrit aktual. Suksesi eventual i mocionit do ta kreditonte opozitën e vogël dhe jounike, si nismëtare e rrëzimit të Qeverisë, prandaj me siguri Lidhja Demokratike do ta mendojë opsionin tjetër për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare. Por, përtej, kalkulimeve të pushtetit, thelbi i kësaj historie qeverisjeje të dështuar, PDK-LDK, ndërlidhet me gjendjen e rëndë në terren. Kriza politike e ka thelluar krizën ekonomike. Njerëzit janë pa punë, pa shpresë. Sistemi arsimor dhe shëndetësor janë më keq se kurrë. Sundimi i ligjit është një fjalë boshe, sepse pushtetarët e sundojnë ligjin dhe qytetarët, zhvatin pasuritë publike dhe buxhetin e taksapaguesve. Kjo legjislaturë nuk e meriton më asnjë ditë të jetë aty ku është, sepse kanë shkelur mbi interesin publik, nuk kanë mbështetur asnjë nismë serioze qoftë për hetimin e skandaleve, debatin për arbitrazhet etj. Koha po vjen, për t'iu drejtuar sërish kutive të votimit, me shpresën e vakët gjithsesi, që përbërja e ardhshme e parlamentit do të jetë më dinjitoze dhe do të punojë për interesin e shtetit.

(Kosova Sot)