Editoriali: Një brez i dështuar politikanësh

  • 08 May 2017 - 17:12
Editoriali: Një brez i dështuar politikanësh

Historia e pasluftës na dëshmoi se vetëm liria ishte e pamjaftueshme për ta ndërtuar shtetin, duke ndjekur modelet e Perëndimit, demokracitë e konsoliduara. Formalisht, Kosova u bë një Republikë demokratike, por de fakto u shtri një sundim i rëndë i oligarkëve. Së pari, u vendos regjimi oligarkik politik, pastaj erdhën në shprehje oligarkët e biznesit. Lidhjet mes tyre monopolizuan ekonominë, thelluan varfërinë dhe detyruan dhjetëra mijëra kosovarë të emigrojnë. Një shtresë e vogël pushtetarësh u bënë aq të pasur përmes shfrytëzimit të pozitës së tyre dhe lidhjeve klienteliste me biznesin e inkriminuar, saqë as vetë me siguri nuk e dinë me sa zero në fund është pasuria e tyre, e paligjshme. Duke e pasur kontrollin e plotë mbi sistemin e drejtësisë, oligarkët nuk u trembën asnjëherë se dikush një ditë do të trokiste në derën e tyre dhe do t'ua hetonte origjinën e luksit korruptiv. Fatkeqësisht, një situatë e tillë është edhe sot. Ai që vjedh miliona nuk pëson asgjë, kurse mund ta hajë dikush për pesë euro mitë. Nga viti në vit, nga mandate në mandate, kjo klasë politike, që qeveris edhe sot, shtriu rrënjët e së keqes pa e luftuar kurrë atë. Si rrjedhojë, në vendin tonë nuk ka shpresë se do të ketë ndryshime me njerëzit e njëjtë në krye të shtetit. Nëse deri dje politikanët e korruptuar luftonin që të fitonin pushtetin për të marrë tenderë, sot luftojnë të mbesin në pushtet që të mbrojnë pasuritë e paligjshme që i kanë bërë. Një gjë është e qartë, se me fytyrat e njëjta në krye të Republikës, dikastereve kryesore, agjencive dhe kompanive publike, shteti ynë nuk mund të shohë ditë të mira. Kosovës i duhet një gjeneratë tërësisht e re politike, që duke e pensionuar të vjetrën do t'i çojë përpara proceset e nisura. Zgjedhjet që riciklojnë nuk janë zgjidhje, prandaj partitë duhet t'u hapin rrugën ndryshimeve. Sa më parë, aq më mirë për Republikën.

(Kosova Sot)