Editoriali: Proceset nuk kryhen duke i shtyrë

  • 09 May 2017 - 17:33
Editoriali: Proceset nuk kryhen duke i shtyrë

Demarkacioni nuk është asgjë e re. Një marrëveshje e nënshkruar nga Qeveria qysh në vitin 2015, që prêt të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tash, kur pushtetarëve u ka ardhur presioni sa nuk mund të rezistojnë më, planifikohet seanca për votimin. Po, ku ishit deri tani që u injorua çdo zë kritik ndaj kësaj marrëveshjeje të dëmshme për vendin? Duke shtyrë Demarkacionin, u zvarrit edhe liberalizimi i vizave, pra kosovarët vazhdojnë të jetojnë të izoluar nga Evropa, edhe pse janë pjesë e saj. Klasa e papërgjegjshme politike na la në ngujim, ndërsa askush nuk është i gatshëm të ballafaqohet me përgjegjësitë konkrete për këtë dështim flagrant. Tani, në finish, dy partitë e mëdha shigjetojnë njëra-tjetrën, për dështim dhe mungesë vendimmarrjeje, bllokadë dhe shantazh, ndërsa populli vuan pasojat e këtij amatorizmi politik. Kosova, si vendi i fundit në rrjedhën e proceseve euroatlantike, do të duhej të përshpejtonte hapat, për të zënë ritmin e shteteve të tjera. Ndërsa sot ne flasim për MSA-në, vendet e tjera ose janë anëtarësuar ose kanë marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Por, pushtetit nuk i ka interesuar që t'i shtyjë para proceset, përkundrazi duket se ka pasur nevojë që ta izolojë dhe ta bllokojë vendin. Kësisoj, për mafio-oligarkët është më e lehtë që të funksionojnë, në rrethana të tilla, kur populli është i sunduar, i izoluar dhe nuk ka nga t'ia mbajë. Një Qeveri, e cila harxhon mandatin me dy- tri tema, është e destinuar të dështojë dhe këtë fakt nuk mund ta mohojë askush. Tash është vonë për të reflektuar, sepse bllokadat ishin aq të rënda, sa nuk mund të pritet nga protagonistët e njëjtë ndonjë farë qëndrimi i ri. Me një fjalë, proceset e rëndësishme, në mos kjo Qeveri, ajo pas saj do të detyrohet t'i kryejë. Ndërkohë, partitë duhet të nxjerrin mësim, që të mos humbasin kohë të panevojshme duke zvarritur temat e ndjeshme, por t'u japin drejtim atyre me kohë.

(Kosova Sot)