Editoriali: Kronikë e një rrëzimi të paralajmëruar

  • 11 May 2017 - 17:03
Editoriali: Kronikë e një rrëzimi të paralajmëruar

Kur pushteti përdoret për interesa puro personale, klanore, biznesore, kriminale, korruptive, klienteliste, fundi të vjen, si kryeministrit në dorëheqje tashmë Isa Mustafa. Para se të formohej koalicioni PDK-LDK, lideri i Lidhjes Demokratike i ra anekënd Kosovës, duke u zotuar para votuesve të tij se do ta largonte Partinë Demokratike nga pushteti, do ta çrrënjoste SHIK-un nga institucionet duke e shkapur shtetin. Por, pak muaj pas zgjedhjeve, pasi mashtroi opozitën e braktisi bllokun VLAN, për të rënë sërish në prehrin e PDK-së. As që bëhej fjalë më për shkapjen e shtetit. Marrëveshja e koalicionit specifikonte qartë se gjithçka ndahej përgjysmë, ministritë, bordet, agjencitë e pavarura, dogana, ATK-ja, etj. Nuk flitej për kritere, për vlera, për merita, por thjesht ishte një pazar, që ëmbëlsoi klientelën e LDK-së, ndërsa në një farë mënyrë e kënaqi edhe PDK-në, ndonëse kjo e fundit e vuante humbjen e pozitës kryeministrore. Gjatë këtij mandati të përgjysmuar, jeta e kosovarëve u përkeqësua, mijëra qytetarë e braktisën vendin të pashpresë, ambienti biznesor u bë më i vështirë, ndërsa sundimi i ligjit mbeti një fjalë e huaj. Qeveria dështoi ta zhvillojë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, diplomacinë, nuk hapi vendet e premtuara të punës, nuk e bëri Kosovën një vend për të shpresuar. Pasi nënshkruesi i marrëveshjes u bë president, gjërat filluan të qartësoheshin dhe kryeparlamentari nisi fushatën. Videoklipet e tij shprehnin pakënaqësi ndaj gjendjes, ndaj qeverisjes, ishin mesazh i qartë për kryeministrin, por ky i fundit me gjasë i injoronte, duke shpresuar se ndërkombëtarët në fund nuk do të lejonin të bjerë Qeveria e "elefantëve". Por, hesapet i kishte bërë pa hanxhiun, sepse oligarkët e politikës kosovare i dëgjojnë ambasadorët, kur u konvenon edhe atyre. Kësaj here nuk kishin kurrfarë interesi që t'ia zgjatnin jetën qeverisë 'Mustafa', prandaj e rrëzuan atë. Sikur kryeministri ta ngrinte zërin me kohë kundër aferave, skandaleve, të distancohej dhe t'i luftonte bandat e pushtetit, kompanive publike, bizneseve mafioze, historia e tij politike do të merrte rrjedhë tjetër. Por, ai vendosi të bëhej pjesë e sistemit, kapjes dhe zhvatjes dhe si i tillë e pësoi në fund. 

(Kosova Sot)