Editoriali: "Dhurata" e qershorit

  • 12 May 2017 - 16:54
Editoriali:

Ukraina e mori liberalizimin e vizave, kurse kosovarët e izoluar do të shkojnë drejt kutive të votimit më 11 qershor, në zgjedhjet e parakohshme, që u shpallën nga presidenti pas suksesit të një mocioni mosbesimi të opozitës, por të mbështetur nga partneri qeveritar i LDKsë. Kjo, pra, është dhurata me një kosto 5 milionëshe, që na e bënë partitë në pushtet, duke mos arritur të plotësonin kushtin e mbetur nga lista e kritereve të Bashkimit Evropian, për të përfituar lëvizjen e lirë në hapësirën e Shëngenit. Liberalizimi i vizave nuk është megjithatë problem kryesor i qytetarëve të Kosovës.

Në Republikën tonë ka një degradim të jashtëzakonshëm. Asnjë parti nuk i ka shpëtuar inkriminimit, ndërsa kriminaliteti i organizuar është bartur edhe në institucione, sidomos në organet e drejtësisë. Si rrjedhojë, politikanët apo siç njihen në opinion -të fortët-nuk mërziten se për shkeljet dhe aferat e tyre, keqpërdorimet dhe abuzimet, shpërdorimin e fondeve publike do të ndëshkohen. Deklaratat që bëhen tash pasi ra Qeveria, që vijnë nga LDK-ja e zemëruar me partnerin e saj, nuk janë të sinqerta. Po të kishte pasur vullnet dhe forcë, Lidhja Demokratike do ta kishte ngritur zërin kundër së keqes, kur e mori udhëheqjen e Qeverisë.

Por, kjo parti u bë pjesë e ndarjes së tortës së pushtetit, duke forcuar kështu kapjen e shtetit, klientelizmin, tenderomaninë, etj. Nëse do ta kishte pasur seriozisht luftimin e krimit ekonomik, korrupsionit, monopoleve, mafio-oligarkëve, atëherë kishte kohë ta dëshmonte një gjë të tillë. Megjithatë, LDK-ja preferoi të heshtë, të mos mbështesë asnjë nismë parlamentare për të formuar komisione hetimore për skandalet, informalitetin. Tash është vonë për të thënë se gjoja e paskan stopuar krimin. Kjo nuk është e vërtetë dhe është qytetari që me votën e tij, nëse do të dalë në zgjedhje, do ta shprehë qëndrimin e vet. Për fat të keq, janë të njëjtat parti dhe të njëjtët politikanë, që na presin edhe më 11 qershor, prandaj pak shpresë mund të ketë se edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ndodhë liberalizimi i vizave dhe do të zhbllokohen proceset e tjera.

(Kosova Sot)