Editoriali: Mashtrimi i ri

  • 13 May 2017 - 18:25
Editoriali: Mashtrimi i ri

Në qershor 2014, PDK-ja i fitoi zgjedhjet parlamentare me "Misionin e Ri", por për shkak se shumica elektorale në fakt, votuan partitë e tjera, që formuan bllokun, pas gjashtë muajsh, përmes institucioneve të kapura, kjo parti arriti të mbesë në pushtet në mandatin e tretë radhazi. Bashkë me partnerin tjetër në koalicion, LDK-në, u premtuan 320 mijë vende të reja punë, fonde miliardëshe e plot mrekullira të tjera. Në gati tre vjet bashkëqeverisje, punësimi pati një rritje fare modeste, shumë larg premtimeve, ndërsa rritja ekonomike, edhe pse propagandohet si më e madhja në rajon, në fakt, është e pamjaftueshme për ta zbutur varfërinë dhe rritur punësimin. Duke shpërdoruar buxhetin e shtetit dhe forcuar klientelizmin, përmes rritjes elektorale të pagave, korrupsionit të votës dhe manipulimeve, PDK-ja forcoi pozicionin e vet, kurse LDK-ja i ndihmoi që ta forconte kapjen e shtetit, pa mundur të bëjë ndonjë ndryshim në keqqeverisjen e deriatëhershme. "Misioni i Ri" ishte një mashtrim tipik dhe ilustrimi më i mirë për debaklin e këtij misioni, e bënë vetë mijëra qytetarë, të cilët sapo morën vesh se Partia Demokratike mbeti në pushtet, mbushën autobusët drejt Perëndimit. Pa u shuar mirë jehona e këtij mashtrimi të madh, e njëjta parti, që prishi marrëveshjen e koalicionit, për të forcuar pushtetin, ka lansuar atë që e quan "Fillimi i Ri". Edhe pse ndonjë fytyrë e re, servile apo që deri dje ka sharë e tash e ka mbyllur gojën, po shfaqet në krah të ish-kreut të SHIK-ut, ky i ashtuquajturi 'Fillimi i Ri' është në duart e politikanëve të konsumuar. Ministra, ish-ministra, që kanë përgjegjësi për skandale dhe afera, dështime dhe abuzime, janë ata që supozohet se do ta kenë një fillim të ri. Është më se e qartë se fillimi i ri mund të parafrazohet ndryshe - hajnia e re, sepse nuk ka asgjë të mirë për qytetarët e këtij vendi. Fillim i ri është kur secila parti së pari distancohet nga e keqja brenda vetes, së dyti nga krimi dhe korrupsioni dhe së treti jep garanci se në qeverisjen e ardhshme do të kenë vend vetëm profesionistët dhe meritorët.

(Kosova Sot)