Editoriali: Mashtrimi i radhës i PDK-s

  • 15 May 2017 - 17:15
Editoriali: Mashtrimi i radhës i PDK-s

Ish-kreu i SHIK-ut, një organizate që ka funksionuar jashtë institucioneve, në mënyrë të dyshimtë dhe jotransparente, në shërbim ekskluziv të PDK-së, të cilën edhe tash e ka tërësisht nën kontroll, po pretendon përmes "Fillimit të Ri", që të fitojë zgjedhjet dhe të bëhet kryeministër i Kosovës. Mbi Kadri Veselin rëndon e kaluara e errët, për të cilën ai nuk ka dhënë kurrë llogari para organeve shtetërore, edhe pse ka pasur raporte të ndryshme, që kanë ngritur akuza mbi veprimtarinë kriminale të SHIK-ut. Para "Fillimit të Ri", kreu i PDK-së është dashur të shprehë gatishmëri dhe ta iniciojë vetë zbardhjen e tërë aktiviteteve të SHIK-ut, emrave që e kanë përbërë atë, nëse vërtet është i bindur se veç ka kontribuar për Kosovën, siç shprehet kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës. Në të vërtetë, përmes "Fillimit të Ri" duket se PDK-ja dhe oligarkët e saj po përpiqen të forcojnë kapjen e shtetit, të cilin e kanë bërë leckë edhe paraardhësit e tij, përmes qeverisjes së tyre kriminale.

Fushata është e shkurtër sivjet, por e mjaftueshme për t'ua rikujtuar votuesve skandalin "Pronto", klanin që po sundon Kosovën, fytet e zbrazura të politikanëve të korruptuar. Dhjetë ditë fushatë mjaftojnë për t'ua rikujtuar qytetarëve të këtij vendi arbitrazhet mafioze ku po zhvatet pasuria publike, fondet, buxheti i taksapaguesve kosovarë. Votuesit nuk duhet të harrojnë se motoja "Fillimi i Ri" nuk mund të mbulojë tenderomaninë, nepotizmin, militantizmin, shpërdorimin e buxhetit dhe pozitave publike, krizën dhe krimin në arsim dhe shëndetësi, izolimin e Kosovës, mungesën e shpresës. Kadri Veseli dikur qeveriste fshehtë nga nëntoka e tash po synon legjitimimin në dritë me diell, përmes zgjedhjeve, ku asgjë nuk është e sigurt sa i përket votës së lirë dhe të ndershme.

Në ballë të "Fillimit të Ri" qytetarët do të shohin ujqit e vjetër të mafio-politikës kosovare, prandaj nuk ka asnjë arsye për t'u besuar atyre që kanë bërë milionat me djersën e popullit dhe po përpiqen sërish ta mashtrojnë atë. Me njerëz të vjetër, me politikanë të kompromentuar, me liderë që të qeshin ditën e të vrasin natën, Kosova nuk mund të ecë përpara. "Fillimi i Ri", është thjesht MASHTRIMI I RADHËS!

(Kosova Sot)