Editroiali: Krahu i luftës përballë pacifistëve, lë në hije VV-në

  • 18 May 2017 - 17:13
Editroiali: Krahu i luftës përballë pacifistëve, lë në hije VV-në

Koalicionet e orëve të mesnatës së parmbrëmshme duhet të bindin edhe votuesin më skeptik se nuk mund t'u besohet më partive kosovare dhe lidershipit aktual, në deklaratat e tyre për vija të kuqe, dhe çfarë- do tjetër që deklarojnë në kritikat për keqqeverisje, korrupsion, skandale etj. Edhe armiqtë më të flaktë, pra, bëhen bashkë në fund, në një listë zgjedhore, nga e majta ekstreme te të djathtit radikalë, fetarë e ateistë, karrieristë dhe të pandershëm, në telashe me drejtësinë apo me afera mbi supe, biznesmenë e oligarkë, profesorë e të padijshëm, injorantë e militantë. Edhe pse liderët kur dalin në konferenca shtypi fjalinë e parë e kanë "e bëmë këtë për qytetarët tanë", në fakt, ata gjithnjë gënjejnë dhe është më se e qartë se e bënë pazarin për pushtet, duke kalkuluar votat e mundshme, rëniet e ngritjet, hajnitë eventuale të votave, përfitimet e paligjshme etj., etj. Kosova, për herë të parë, megjithatë u nda në dy blloqe, duke penalizuar në fakt Lëvizjen "Vetëvendosje", e cila me karakterin e saj radikal dhe ekstremist, me dështimin e plotë në keqqeverisjen e Prishtinës, pritet të humbasë terren të madh në zgjedhjet e 11 qershorit. E rënë edhe ajo në prehrin e mafio-oligarkëve ogurzi, nuk mund të mburret më se ishte partia që e mban lart flamurin antikorrupsion. Askush nuk mund t'i besojë, siç është e vështirë t'u besosh edhe këtyre që synojnë të riciklohen në pushtet. Ata që ishin aty, në krye të institucioneve, nuk treguan asnjë rezultat të dobishëm për qytetarët, ndërsa paturpë- sisht sërish kërkojnë votën e qytetarëve. Fushata elektorale është e shkurtër, por mbetet të shohim se cilat janë garancitë se gjërat mund të lëvizin pas 11 qershorit. A do të kenë guxim fituesit që e bëjnë Qeverinë t'i luftojnë monopolet, ta bëjnë Vettingun në drejtësi, të bëjnë dekriminalizimin e politikës, të pastrojnë shtetin nga të inkriminuarit, t'i lënë njerëzit të punojnë të lirë në sipërmarrjen e tyre private pa i bllokuar me monopole, të zhvillojnë arsimin dhe shëndetësinë? Nëse nuk i bëjnë këto të gjitha njëpërnjë, pak ose nuk ka fare shpresë se mund të bëhet më mirë për qytetarët dhe vendin.

(Kosova Sot)