Editoriali: Alternativat e dështuara - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Alternativat e dėshtuara

Editoriali: Alternativat e dėshtuara

Terren më të përshtatshëm për daljen në skenën politike të ndonjë partie të re nuk ka pasur asnjëherë më parë në Kosovë. Në këto rrethana dëshpërimi dhe dekurajimi të qytetarëve, të izoluar e të mashtruar, të lodhur nga keqqeverisja e të pashpresë, një subjekt i ri, serioz, me personalitete bindëse, njerëz me integritet, profesionistë dhe të ndershëm, të pakorruptuar dhe kreativë, nuk do të kishte pasur vështirësi të kalonte pragun elektoral si fillim. Por, edhe ndonjë nismë që doli në sipërfaqe si alternativë e re nuk guxoi të hyjë në zgjedhje e vetme. Në rastin konkret, për shembull, të Alternativës së Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës, problemi fillestar ishte se kishim të bënim me figura politike, gjithsesi, të konsumuara në kolltukët e pushtetit, të mercenarizuara dhe jo shpresëdhënëse.

Duke e parë edhe ata vetë se ky profil nuk shkrep në elektorat bënë hesapet personale, që të mbesin në tregun pushtetor dhe iu bashkëngjitën njërës prej partive të mëdha. Nga ana tjetër, ajo që pamë deri në orët e fundit të afateve ligjore ishte transferi apo aderimi i disa figurave mediale, biznesore, ekspertë etj., që deri dje i shanin ato parti, në gjirin e të cilave përfunduan. Skena jonë politike në fakt i ngjan një lloj tregu kaotik, ku vlerat nëpërkëmben, parimet janë shkelur dhe çdo veprim bëhet për interesa momentale. Mungesa e vizionit për të ardhmen, për daljen nga qorrsokaku, ku na ka futur politike aktuale, e vështirëson daljen në skenë të nismave të reja politike, që mund të sjellin ndryshimin. Votuesit janë të detyruar të shkojnë drejt kutive të votimit, duke pasur si zgjedhje partitë me mentalitetin e njëjtë. Shoqëria jonë, si duket e stërlodhur nga vitet e sundimit oligarkik, ende nuk arrin të gjejë forca për të prodhuar një forcë të re, energjike, të pastër, që mund të jetë shpresëdhënëse. Si rrjedhojë, edhe rezultati i 11 qershorit nuk jep shpresë se mund të ketë ndonjë befasi. 

(Kosova Sot)

8 orë e 6 minuta më parë