Editoriali:Listat e hapura, mundësi për sovranin

  • 20 May 2017 - 18:26
Editoriali:Listat e hapura, mundësi për sovranin

Dështimi i reformës zgjedhore ua ka mundësuar qytetarëve të vendit, që në zgjedhjet e 11 qershorit, të kenë mundësi të zgjedhin kandidatët e tyre të preferuar. Partitë, të detyruara që përveç servilëve, militantëve, biznesmenëve oligarkë, të përfshijnë në listat e kandidatëve për deputetë edhe njerëz të pastër, me integritet, profesionistë, janë të varura nga populli në rangimin përfundimtar dhe përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nëse votuesit do të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare, duke ua dhënë votën më të mirëve, nga të gjitha partitë, një gjë mund të jetë e sigurt-përfaqësimi parlamentar, të paktën, do të ishte shumë më në nivel se ky që lamë pas. Edhe pse është kohë e shkurtër për fushatë, duke e pasur parasysh se jemi një vend i vogël, ku të gjithë e njohin njëritjetrin, qytetarët kanë mundësi, që përmes listave të hapura, të ndikojnë fuqishëm në përbërjen e legjislaturës së ardhshme. Kjo është më shumë rëndësi të shpjegohet dhe t'u bëhet pra e qartë njerëzve se çdo votë vlen shumë në këto zgjedhje. Një parlament me përfaqësues, më i përgjegjshëm, me njerëz të vendosur dhe të ndershëm, me siguri do të sjellë edhe vendime më të mira, të drejta në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. Rreziku që ky verdikt popullor, nëse ndodh, të prishet, është vetë lufta brenda llojit, pra brenda subjekteve politike, ku zakonisht, bazuar edhe nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, janë kandidatët që ia vjedhin votat njëri-tjetrit, janë komisionerët ata që bëjnë pazare të pista. Një gjë e tillë nuk duhet as të lejohet, as të tolerohet nga organet e drejtësisë. Vota është e shenjtë dhe secili deputet që hyn në Kuvend, le të hyjë duke e merituar atë, jo duke e blerë, vjedhur votën e sovranit. 11 qershori është një test i rëndësishëm dhe një mundësi e mirë për qytetarët, të ndëshkojnë emrat, që nuk e përfaqë- suan dhe që po shihet se janë sërish në lista dhe të votojnë më të mirët. 

(Kosova Sot)