EDITORIALI: Mashtruesi i dështuar gjen shpëtim në listën e VV-së!

  • 22 May 2017 - 17:00
EDITORIALI: Mashtruesi i dështuar gjen shpëtim në listën e VV-së!

Shpend Ahmeti, edhe pse ka një kontratë me qytetarët e Prishtinës, nuk ka ngurruar t'ia mësyjë garës për t'u bërë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kreu i kryeqytetit, edhe pse u përfshi dhe u kap së fundmi në skandalin e jahtit të Devollëve, ka arritur të gjejë hapësirë në radhët e kandidatëve të Lëvizjes "Vetëvendosje", që pretendon, pa asnjë mbulesë të besueshme, se e mban flamurin e ndershmërisë, pastërtisë së figurave dhe antikorrupsionit. E vërteta duket të jetë krejtësisht ndryshe dhe deri diku e pranoi edhe vetë lideri i vërtetë i VV-së, Albin Kurti, në një fjalim të tij së fundmi para se të shpërndahej Kuvendi. Ai goditi pikërisht Devollët, së paku formalisht, mes tjerash, me të cilët Shpend Ahmeti dyshohet se ka marrëdhënie të fuqishme korruptive, klienteliste, e deri në krim të organizuar. Që prej marrjes së pushtetit në Prishtinë, Lëvizja "Vetëvendosje" ka pësuar një metamorfozë të çuditshme. Për subjektet e tjera ka qenë normal ndryshimi që sjell torta e pushtetit korruptiv, por për VV-në, që aq shumë iu ka mëshuar formalisht temave të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit të organizuar etj., rënia në batakun e politikës korruptive tradicionale kosovare, duke u lidhur me klanin 'Pronto', ishte tepër zhgënjyese për qytetarët. Të shohësh në listën e atyre që pretendojnë ta përfaqësojnë sovranin pas 11 qershorit edhe një figurë si Shpend Ahmeti, i përlyer tashmë në llumin e mafio-oligarkisë kriminale që po sundon Kosovën përmes krimit të organizuar, është tepër irrituese dhe neveritëse për votuesit, të cilët me siguri do t'i hakmerren këtij subjekti më 11 qershor. Duke e parandier se një rikandidim i dytë i mundshëm në kryeqytet do ta përballë me humbjen e sigurt nga vota e qytetarëve kryeqytetas, kryetari aktual është treguar një "pehlivan" politik dhe ka depërtuar për t'u trafikuar në listën e kandidatëve për deputetë, ndonëse mbi të rëndojnë dhjetëra kallëzime penale nga qytetarët. Këtu nuk ka asgjë parimore, për një parti që e shet veten në skenën kosovare rrejshëm si parimorja e vetme! Po të ishte i vetmuar në prapaskenat e tij kriminale, Shpend Ahmeti do të eliminohej lehtë nga VV-ja, por e vërteta duket se është më ndryshe. Ai nuk është vetëm në skemat e tij kriminale, por bashkë me "pesëshen" e kupolës se Lëvizjes ndërmarrin veprime të tilla, duke i befasuar edhe vetë anëtarët e kësaj partie që kanë filluar me të madhe ta humbasin tashmë besimin.


(Kosova Sot)