Editoriali: Votuesit mund ta nisin dekriminalizimin

  • 23 May 2017 - 17:01
Editoriali: Votuesit mund ta nisin dekriminalizimin

Ambasadori britanik përsëriti dje thirrjen e bërë edhe nga ambasadorë të tjerë të Kuintit, që të mos votohen partitë që kanë mbështetur kriminelët apo kanë në listat e tyre kandidatë të inkriminuar. Nëse përfillet thirrja diplomatike, atëherë do të duhej që asnjë parti të mos votohej dhe, me një fjalë, zgjedhjet të dështonin. Mos të harrojmë se janë vetë ndërkombë- tarët që në momente të caktuara, edhe pse ka pasur presion të shtuar medial dhe publik, që të mos mbështeteshin qeveritë e korruptuara dhe të dështuara, e kanë bërë një gjë të tillë, duke ua rrahur shpinën liderëve të inkriminuar. Sot, adresohen thirrje të tilla, në parim të drejta, por këtu bëhet fjalë për një çështje ligjore, sepse në rrafshin etik, kuptohet se subjektet garuese nuk mërziten shumë, siç nuk janë shqetësuar as më herët në zgjedhjet e kaluara. Ligji nuk ua ndalon njerëzve, të cilët eventualisht mund të kenë telashe me drejtësinë, për të kandiduar që të zgjidhen deputetë. Nëse nuk ka një verdikt përfundimtar të gjyqësisë, askush nuk mund të pengohet. Ajo që shihet është se sistemi i kapur jo vetëm që nuk i pengon kandidatët e inkriminuar, por falë "gjumit" në të cilin ka rënë Prokuroria e Shtetit, disa emra po amnistohen publikisht, siç është edhe rasti me kallëzimet penale ndaj Shpend Ahmetit, të bllokuara në organin e akuzës. Gjithsesi, janë votuesit ata, të cilët e kanë në dorën e tyre një lloj dekriminalizimi të listave, gjë që do të sillte edhe një legjislaturë më të ngritur, më të pastër dhe shpresëdhënëse. Vota e qytetarëve, për kandidatët që premtojnë, të cilët mund t'i hasim në listat e subjekteve konkurruese, mund të jetë vendimtare, për pamjen e ardhshme të Parlamentit të Kosovës. Votuesit duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi dekriminalizimi të Kuvendit, duke ditur se dekriminalizimi ligjor vështirë se mund të bëhet nga një përbërje e inkriminuar, siç ka qenë më herët. Sovrani ka një fuqi të madhe, për të nxitur kthesën e shumëpritur përmes listave të hapura. 

(Kosova Sot)