Editoriali: Fushatë në Ramazan

  • 27 May 2017 - 17:29
Editoriali: Fushatë në Ramazan

Qëlloi që sivjet, fushata zgjedhore të përkojë me Muajin e Shenjtë të Ramazanit, që sapo ka filluar. Thirrja e myftiut të Kosovës për një fushatë të qetë dhe të dinjitetshme, është e kuptueshme, por sa do të jetë e tillë në fakt kjo garë për pushtetin? Ndarja në blloqe politike, e ashpërson luftën për pushtet dhe kjo po shihet tashmë në përplasjet e ndryshme që janë duke u shtuar dita-ditës. Paralajmërimet, që vijnë edhe nga ndërkombëtarët, e bëjnë situatën edhe më serioze. Së pari, këto zgjedhje duhet të tregojnë kulturën demokratike të qytetarëve tanë dhe partitë nuk duhet ta shpërdorojnë besimin dhe durimin e elektoratit. Gjuha e urrejtjes është e papranueshme, por vazhdimisht po shohim shembuj të fyerjeve, shpifjeve, mes rivalëve politikë. Ky diskurs nuk shpie askund, por vetëm e tensionon pa nevojë situatën. Organet e sigurisë duhet ta kryejnë punën e tyre me nder dhe përkushtim, duke mos lejuar askënd që ta prishë procesin zgjedhor. Ky është një moment i rëndë- sishëm dhe Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë, duke e degraduar procesin. Në presin shumë sfida përpara dhe politikanët në vend që të përbetohen e të shpalosin çdo ditë vija të kuqe e të zeza, duhet të na garantojnë se pas zgjedhjeve nuk do të lejojnë të përsëritet ngërçi politik i vitit 2014. Vendi ka nevojë për një qeverisje stabile, konstituim të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zhbllokim të temave të ngrira tashmë gjatë tërë mandatit të qeverisë 'Mustafa'. Në këtë Muaj të Shenjtë, kur kërkohet solidarizim me ata që nuk kanë, politikanët shpenzojnë shuma të mëdha që të zënë një karrige parlamentare apo qeveritare. Është mirë, që të paktën, gjatë këtyre ditëve të agjërimit, në vend që ta shfrytëzojnë për fushatë, të tregojnë një dimension njerë- zor. Lufta për pushtet është e egër, por të shpresojmë që sadopak ky muaj do t'i zbusë politikanët kosovarë. Agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve!

(Kosova Sot)