Editoriali: Kryetarët "tradhtarë" në fushatë

  • 31 May 2017 - 17:11
 Editoriali: Kryetarët

Shpend Ahmeti ka një kontratë me qytetarët e Prishtinës, por ai bashkë me zëvendësin e tij gjendet në listën e lëvizjes 'Vetëvendosje', në garë për t'u bërë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Ai nuk është i vetmi në këtë pazar votash dhe injorim të Komunës, që e kanë zgjedhur kryetar. Rastet e Mitrovicës, Gjakovës e Deçanit, janë shembujt e tjerë të ngjashëm, por natyrisht më skandalozi është trafikimi në listën e kandidatëve i Shpend Ahmetit, apo siç e quajnë tashmë plot Shpend Jahti. Nëse për partitë e tjera nuk është ndonjë befasi, kalkulimi politik për ca vota më shumë, duke përfshirë në lista edhe emra kryetarësh, për lëvizjen 'Vetëvendosje', që thirret në parime e vlera, kjo lëvizje duket tepër fyese për zgjedhësit. Shfrytëzimi i kësaj mundësie ligjore është më tepër abuziv, sesa ndonjë veprim shpresëdhënës për elektoratin.

Në fakt, kandidimi i kryetarëve të komunave, tregon urinë për pushtet të individëve përkatës bashkë me subjektet, të cilave u përkasin. Nëse katër kryetarë komunash bëhen deputetë, ata do të duhej të jepnin menjëherë dorëheqje nga pozita e tyre dhe KQZ-ja duhet të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme lokale. Por, pikërisht sivjet janë edhe zgjedhjet e rregullta lokale, prandaj një aventurë e tillë elektorale duket krejt absurde dhe e kushtueshme për buxhetin e varfër të shtetit. Por, të gjitha partitë, përfshirë edhe VV-në, nuk e kanë problem, nëse dëmtohet paraja publike, nëse cenohet interesi qytetar. Ato duan me çdo kusht që të realizojnë skemat e tyre mafiopolitike, për të rrëmbyer sa më shumë një pjesë nga torta e madhe e pushtetit. Votuesit e Shpend Ahmetit dhe kolegëve të tij nga komunat e tjera, do të duhej ta mbajnë mirë në mend "tradhtinë" e të zgjedhurve të tyre, të cilët nuk mërziten nëse gjejnë ndonjë variant më të mirë pushteti, sepse interesi i tyre nuk është e mira publike, por thjesht xhepi privat. 

(Kosova Sot)