Editoriali: Për fëmijët dhe politikën që i harron

  • 02 June 2017 - 16:57
Editoriali: Për fëmijët dhe politikën që i harron

Politikanët vërshuan rrjetet sociale me rastin e 1 Qershorit, duke u munduar të na tregojnë anën e tyre familjare, humane, në përpjekje për të marrë vëmendjen e duhur edhe kur bëhet fjalë për më të vegjlit. Por, para se ta bënin këtë, sidomos ata që qenë në pushtet vazhdimisht dhe vendosën për fatin e qytetarëve, duhet të kujtojnë faktin se në çfarë gjendjeje jetojnë sot mijëra familje kosovare me fëmijët e tyre. Çdo ditë në fushatë dëgjojmë premtime të bujshme për strehim social, punësim, mirëqenie, rritje pagash, etj., por e dimë fare mirë se shumica e këtyre premtimeve brenda një mandati nuk mund të realizohen. Politikanët që qeverisën duhet të tregohen vetëkritikë, sepse për shkak të mënyrës sesi e administruan pushtetin, një pjesë e madhe e kosovarëve u zhytën në varfëri, disa në varfëri ekstreme. Të kalosh ditën me një euro e gjysmë, ndodh veç në vendin tonë dhe për këtë fakt duhet t'u vijë turp të gjithë atyre që udhëhoqën Kosovën gjatë këtyre viteve. Për fëmijët nuk duhet të na bjerë ndërmend vetëm në një ditë feste, por çdo ditë. Shteti bën fare pak për këtë kategori, duke shpërfillur pasojat e mëvonshme. Nëse sot, fëmijët nuk kanë kushte të mira jetese, ushqim të shëndetshëm, shkollimin e duhur, edukimin në nivel, nesër do të jenë një gjeneratë e paqëndrueshme. Investimi në fëmijë është investimi më i mirë i mundshëm dhe qeveria e ardhshme duhet ta ketë parasysh këtë gjë. Nuk duhet të lejojmë, si shoqëri dhe si shtet, që fëmijët, në vend që të jenë duke mësuar në bankat e shkollës, duhet të kërkojnë lëmoshë, të shesin cigare apo të bëjnë punë hamalli në treg. Kosova ka aq mundësi dhe kapacitete, sa të mos e lejojë një fotografi aq të keqe, të dhjetëra fëmijëve që kanë vërshuar rrugët, sheshet, semaforët, në kërkim të ndonjë euroje, për të mbajtur shpirtin gjallë. 

(Kosova Sot)