Editoriali: Të paktën, na kurseni nga sharjet dhe fyerjet!

  • 03 June 2017 - 17:19
Editoriali: Të paktën, na kurseni nga sharjet dhe fyerjet!

Sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve parlamentare, aq më e ashpër bëhet edhe gara për pushtetin. Në debatet televizive, në mediet online, në rrjetet sociale, gjithnjë e më tepër ka gjithfarë akuzash, sharje, fyerje, përbaltje të kandidatëve dhe subjekteve. Edhe pse pjesëmarrësit në proces, e kanë nënshkruar një kod mirësjelljeje, që t'i përmbahen një fushate të qetë pa eskalim të fjalorit politik, në praktikë, shumica e tyre, as që e respektojnë. Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se kush më shumë e kush më pak prej tyre, por të gjithë bashkërisht janë përgjegjës për situatën e rëndë, në të cilën gjendet sot Republika jonë. Nëse ata adresojnë akuza kriminale ndaj njëri-tjetrit, për efekte elektorale, kjo nuk sjell asgjë të dobishme për sundimin e rendit dhe të ligjit. Kush ka prova dhe fakte, e me siguri, këtu duhet të kenë plot prej pushtetarëve apo ish-pushtetarëve, mund t'i drejtohet Prokurorisë së Shtetit, për të bërë denoncimet përkatëse. Kjo vlen për secilin kandidat që akuzon, secilin subjekt që drejton gishtin e akuzës ndaj individëve apo edhe partive të caktuara. Qytetarët kosovarë nuk e meritojnë të dëgjojnë fjalor të ulët komunikimi mes politikanëve të papërmirësueshëm. Votuesit kërkojnë të dinë, nëse ka programe konkrete dhe cilat janë ofertat pas 11 qershorit, të atyre që pretendojnë ta qeverisin vendin. Që 18 vjet, njerëzit janë lodhur duke dëgjuar akuza e stërakuza, e në fund, asgjë fare sa i përket luftimit të krimit dhe korrupsionit. Populli i stërlodhur me këtë klasë politike është i vetëdijshëm, se pas 11 qershorit, pushteti i bën bashkë rreth një çanaku të gjithë rivalët e përbetuar, prandaj është e kotë shpresa për ndryshim të shpejtë, me këtë mentalitet politik, që po e karakterizon edhe fushatën e sivjetme elektorale. Politikanët duhet të përmbahen nga diskursi nxitës, kërcënues dhe tensionues, ndërsa qytetarët duhet t'i ndëshkojnë me votë ata që fyejnë dhe përpiqen të denigrojnë e të përlyejnë në këtë proces. 

(Kosova Sot)