Editoriali: Republika e Monopolit

  • 05 June 2017 - 17:02
Editoriali: Republika e Monopolit

Monopolet nuk janë problem vetëm i ekonomisë, që tashmë dihet prej kohësh se çfarë dëmesh të jashtëzakonshme po i shkaktojnë biznesit të ndershëm. Monopolizimi është shtrirë gjithandej në hapësirën publike. Duke nisur nga partia, që sundohet nga një grusht njerëzish e deri tek institucionet që janë në duart e klaneve të caktuara, kjo formë monopolizimi i ka ngulfatur demokracinë dhe jetën në Kosovë. Edhe fushata është gjithashtu e monopolizuar, ku ata, oligarkët, dominojnë çdo gjë. Në ato kronikat zgjedhore apo debatet e mbrëmjes shohim se si qarkullojnë të njëjtat fytyra, politikanë të konsumuar apo biznesmenë kontraversë, pseudoanalistë dhe opinionistë të shitur. Më tepër ka zhurmë dhe paqartësi sesa prezantim konkret programesh ose alternativash qeverisëse. Askush nuk i përmend monopolet, sepse me gjasë të gjithë duan të jenë nën hijen e tyre, të përfitojnë diçka, e si këmbim ta mbyllin gojën. Largimi i monopoleve e çliron ekonominë, por asnjë subjekt apo koalicion, të paktën deri tani, nuk është se e ka përmendur, qoftë edhe sipërfaqësisht, këtë temë të ndjeshme. Duket se politikanëve nuk u intereson t'i prishin punët me oligarkët e biznesit, që ua financojnë fushatat dhe kjo gjë është tepër dëshpëruese. Nëse pushteti i ri nuk e ndërpret çdo veprim, praktikë dhe kontratë që cenon konkurrencën e tregun e lirë, atëherë përse po mbahen këto zgjedhje?! Kryeministri në largim ishte zotuar publikisht se do t'i luftonte monopolet, por në fakt nuk bëri asgjë. Kemi shembullin më skandaloz të homologimit të automjeteve, pronë e Devollëve, që është rast flagrant monopoli dhe askush nuk flet, të gjithë heshtin. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik nëse shteti si rregullator dhe garantues ligjor nuk i krijon kushtet e duhura për sipërmarrjen e lirë private. Premtimet e bujshme për rritje dyshifrore ekonomike bien në ujë nëse nuk vendoset së pari sundimi i ligjit dhe nuk garantohet tregu i lirë. Partitë po e kalojnë në heshtje monopolizimin, sepse vetë duan të jenë monopolizuese të Republikës nëse vijnë në pushtet.

(Kosova Sot)