Editoriali: Fake News nga pushtetarët e kriminalizuar!

  • 06 June 2017 - 17:15
Editoriali: Fake News nga pushtetarët e kriminalizuar!

Keqpërdorimi i hapësirës online, duke synuar dëmtimin e Gazetës lidere në Kosovë, të përditshmen "Kosova Sot", ku e vetmja parti që nuk preket, rezulton të jetë Lëvizja "Vetëvendosje!", është sulm ndaj medias së pavarur dhe duhet ta zgjojë Prokurorinë nga gjumi. Përhapja e lajmeve të rreme-Fake Newsnë kohë zgjedhjesh, është bërë dukuri tashmë në vende të ndryshme të botës, përfshirë SHBA-në . Duke e ditur rolin, imazhin dhe ndikimin e besimin e madh që ka në opinion, por edhe kriticizmin e Gazetës 'Kosova Sot", ata që qëndrojnë pas ueb faqes spekulative janë munduar ta njollosin e ta prekin imazhin e mediumit tonë në mënyrën më kriminale. Një gjë e tillë na dëmton ne, e dëmton publikun dhe shtetin, prandaj organet e shtetit duhet të mos rrinë duarkryq, sepse kjo fushatë dezinformuese dhe mashtruese ka një adresë, pas së cilës fshihen emra konkretë, e me gjasë organizata politike, që duan të përfitojnë me këto matrapazllëqe interneti e kriminale. Duke parë përmbajtjen editoriale të lajmeve të rreme, të cilat po përhapen nga faqja e kamufluar me emrin, logon dhe imazhin e Gazetës lidere në vend, Gazetës "Kosova Sot", është lehtësisht e kuptueshme se një veprimtari e tillë kriminale çon ujë në mullirin e Lëvizjes "Vetëvendosje!". U takon autoriteteve të drejtë- sisë t'i hetojnë me shpejtësi këto dyshime serioze, për të gjetur autorët e këtij keqpërdorimi me pasoja të rënda. Gazeta "Kosova Sot" fton Prokurorinë e Shtetit që të hetojë urgjentisht këto falsifikime dhe manipulime të inkriminuara me vepër penale, që dyshohet se po i bën VV-ja, apo kushdo tjetër, për të ndalur këtë propagandë të dëmshme, që na dëmton ne si media e pavarur, përveç efektit politik në favor të VV-së. Ne dyshojmë me bazë, se "Vetëvendosje!" po e sulmon padrejtësisht e kriminalisht edhe Gazetën "Kosova Sot", e cila ka qenë dhe është kritike për keqpërdorimet e bëra të pushtetit të inkriminuar me korrupsion e krim të organizuar nga krerët e VV-së në Komunën e Prishtinës, të cilët tash janë edhe në fushatë për zgjedhjet parlamentare. Si ndër mediet e vetme, që bëjmë kritikën e pushtetit, pavarësisht se cilit nivel pushteti apo partie i përket, e dimë se të gjithë pushtetmbajtësit e inkriminuar na kanë gjithnjë halë në sy, të cilët duan të mbyllin çdo zë të lirë e të pavarur, që ua qet të palarat tepër kriminale të të gjithë pushtetarëve të kriminalizuar e pa dallim.

(Kosova Sot)