Editoriali: Frika për votat lë në hije luftën kundër ekstremizmit

  • 09 June 2017 - 17:14
Editoriali: Frika për votat lë në hije luftën kundër ekstremizmit

Në vlugun përmbyllës të fushatës, një lajm, kësaj radhe me sa duket i vërtetë, ka zhvendosur vëmendjen te njëra ndër sfidat e Kosovës-ekstremizmin dhe radikalizmin. Edhe pse për vrasjen e tij ka pasur lajme të mëhershme, familja në Kaçanik ka hapur dyert për ngushëllime pas njoftimeve të reja për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit, i cili raportohet të jetë vrarë në luftimet e fundit në Siri. Ai njihet si udhëheqësi i shqiptarëve në formacionet terroriste të të ashtuquajturit Shteti Islamik. Në disa fotografi dhe një video, të shpërndara në internet, Muhaxheri shihet duke e vrarë një sirian me raketë anti-tank dhe duke i hequr kokën një njeriu. Ai njihet si një militant ekstremist që ka vepruar si ndërlidhës ndërmjet Shtetit Islamik dhe shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Muhaxheri ishte angazhuar në një qendër lokale "Rinia Islame në Kaçanik", para se të merrte rrugën për në Siri. Së paku 300 shtetas të Kosovës kanë marrë pjesë në konfliktet e huaja në Siri dhe në Irak, të pozicionuar në anën e organizatave të shpallura terroriste.

Sipas raporteve zyrtare, në këto fronte luftërash janë duke qëndruar ende 140 persona, në mesin e të cilëve ka edhe gra dhe fëmijë. Nga këto vende të luftës, në Kosovë tashmë janë kthyer 100 persona. Kosova tanimë ka miratuar ligjin, i cili sanksionon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja dhe që parasheh dënimin me burg deri në 15 vjet. Por, rreziku nga ekstremizmi dhe grupet radikale mbetet i madh. Të rinj pa perspektivë, për shkak të keqqeverisjes që prej pas luftës e deri sot, nuk ngurrojnë t'u bashkohen organizatave që ua shpëlajnë trurin dhe i dërgojnë drejt terrorizmit dhe vdekjes. Në këtë kohë fushate, partitë thuajse as që po e përmendin këtë dukuri shqetë- suese, sepse tremben se mos humbasin vota në muajin e shenjtë të Ramazanit. Aq sa janë të etur për pushtet, nuk duhet të befasohemi nëse do t'i shohim politikanët që të shkojnë për ngushëllime për ndarjen nga jeta të terroristit famëkeq nga Kaçaniku.  

(Kosova Sot)