Editoriali: A do të shpëtojmë nga manipulimet?

  • 10 June 2017 - 17:05
Editoriali: A do të shpëtojmë nga manipulimet?

E shtuna është heshtje zyrtarisht, por politikanët, gëlojnë gjithandej në kërkim të votës. Fushata, fatmirësisht e shkurtër, përfundoi ashtu siç nisi, e paqartë dhe mashtruese. Koalicionet dhe partitë në garë nuk thanë asgjë të re, vetëm përsëritën veten, me zotimet e bajatshme tashmë për rritje pagash, fonde miliardëshe, e plot çudira të tjera, që as vetë nuk i besojnë. Zhgënjimi i madh qytetar, mund të sjellë një dalje të ulët në zgjedhjet e së dielës. Edhe në tubimet elektorale është parë një mobilizim i zbehtë i njerëzve, të lodhur nga politika e mbrapshtë e këtyre viteve të rënda për vendin. Nëse populli refuzon të votojë, do të ishte një goditje e madhe për demokracinë dhe, në anën tjetër, rezultati do të ishte lehtësisht i parashikueshëm. Klientelat dhe trafiku i votave mund ta përcaktojnë sërish fituesin. Mungesa e alternativave të reja në këto zgjedhje, është treguesi më i mirë i thellimit të kapjes së shtetit. Pafuqia e shoqërisë sonë, për të prodhuar, të paktën një grupacion politik, të pastër, të guximshëm, për ta mbështetur me votë, e ilustron gjendjen e palakmueshme, në të cilën jemi si shtet I sunduar nga oligarkët. Nëse qytetarët nuk e shfrytëzojnë të vetmen mundësi që kanë më 11 qershor, pra të votojnë kandidatët e papërlyer në lista dhe të ndëshkojnë me votë të zhyturit deri në fyt, atëherë shpresa për një Kuvend më përfaqësues pas zgjedhjeve, do të venitet. Sistemi zgjedhor e ofron për fat të mirë mundësinë për të zgjedhur deri në pesë kandidatë në listat përkatëse, ku ka figura reprezentative dhe votuesit duhet ta ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të çuar drejt Kuvendit, më të mirët. Një pengesë serioze është aftësia manipuluese e kapësve të shtetit,që dirigjojnë shumicën e komisionerëve, numëruesve, vëzhguesve. Edhe pse dhjetëra prokurorë janë të mobilizuar, duke e ditur që plot prej tyre, janë të emëruar nga politika, kot të presim ndonjë mbrojtje të votës. Të shpresojmë për sa më pak hajni votash!

(Kosova Sot)