Editoriali: Nga kriza në bllokadë

  • 13 June 2017 - 17:06
 Editoriali: Nga kriza në bllokadë

Mungesa e alternativave të reja në zgjedhjet e 11 qershorit, ndëshkuan partitë e oligarkëve, prodhuan mbi 50 mijë vota "kundër të gjithëve" e të pavlefshme dhe dyfishuan forcën politike të Lëvizjes "Vetëvendosje!", sikur hutin e pamerituar e të paprovuar në pushtetin qendror, por e testuar tepër negativisht në pushtetin lokal deri edhe kriminal në Prishtinë. Saktësisht, pa asnjë meritë ,VV-së i kanë shkuar në llogarinë e saj mbi 90 mijë vota, aq sa u kanë munguar partive në koalicionin PDK-AAK-NISMA. Me gjasë, mijëra votues të pakënaqur me koalicionet e interesit të orëve të fundit dhe të territ ose e kanë votuar rivalin partiak, ose e kanë bërë votën të pavlefshme. Gjithsesi, është më se e qartë se mekanizmi i votës i ka dhënë mundësi sovranit t'i ndëshkojë partitë sunduese e pushtetmbajtëse, të cilat po e shpërdorojnë vazhdimisht besimin e dhënë. Vota, si instrument vendimtar i demokracisë, mund të sjellë ndryshime dhe shpresë. Por, që të të ndodhë kjo, duhet të dalin sa me shpejt në skenë alternativa të reja dhe të besueshme e të dobishme. Rritja e VV-së, edhe pse u përlye tepër keq edhe kjo e fundit me mafio-oligarkët e inkriminuar në keqadministrimin e pushtetit në Prishtinë, vjen si pasojë e rritjes së pakënaqësisë dhe zhgënjimit të thellë me ish-partitë e mëdha tepër gjatë të inkriminuara. Në garë për të zënë me çdo kusht vendin e parë, sepse sipas Gjykatës Kushtetuese, vetëm i pari e bën qeverinë, u lidhën gjithfarë koalicionesh, pa parime dhe pa vija të përbashkëta programore, vetëm e vetëm që të sigurohej pushteti. Por, çfarë prodhuan zgjedhjet me këto formula e kalkulime tepër të pista interesash edhe kriminale? Askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë e re . Asnjëri prej dy subjekteve, që janë në vendin e dytë dhe të tretë, nuk pranojnë të hyjnë në qeveri me PAN-in. Nga ana tjetër, bazuar në precedentin e shpjeguar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2014, në rastin e bllokut VLAN, fituesi e bën qeverinë dhe e ka kryetarin e Kuvendit. Që në fillim, shenjat e bllokadës janë më se të qarta. Ky është edhe një test i radhës, për të parë se sa janë mbushur mend këto parti, që të punojnë për interes të qytetarit. 

(Kosova Sot)