Editoriali: Betejë programore apo luftë për pozita

  • 14 June 2017 - 17:02
Editoriali: Betejë programore apo luftë për pozita

Rezultatet e ngushta të 11 qershorit do t'i detyrojnë partitë kosovare të ulen në tryezën e bisedimeve, për ta formuar qeverinë e re. Përtej entuziazmit të dyfishimit të lëvizjes 'Vetëvendosje', si ndëshkim ndaj partive të mëdha oligarkike, gjërat duhet të shikohen me realizëm, për të mos ushqyer pritje të kota dhe për të mos nxitur bllokada të reja institucionale. Nëse subjektet parlamentare janë të përkushtuara për shtet e jo për xhep, atëherë e kanë rastin këtyre ditëve të dëshmojnë se do ta bëjnë praktikisht një gjë të tillë. Sovrani ka folur dhe shumica e votuesve ia besuan PANit, edhe pse me tkurrje elektorale, udhëheqjen e qeverisë së re me mandatarin e tyre Ramush Haradinaj, por ky koalicion nuk mund ta formojë ekzekutivin pa pasur mbështetje edhe nga subjektet e tjera që kanë hyrë në Kuvend. Pretendimi, në anën tjetër, i Albin Kurtit, që ta formojë qeverinë, si subjekti i dytë në garë, edhe pse ka rritur votën, është politikisht i kuptueshëm, andaj nëse koalicioni fitues nuk mund të bëjë qeverinë brenda afatit ligjor, atëherë këtë duhet ta bëjë partia e dytë, natyrisht nëse i ka numrat. Në këtë situatë prapaskenash, negociatash, kushtëzimesh, qytetarët mund të shohin se kush ka interesim për të shtyrë përpara një program zhvillimor, social e ekonomik e kush është i dhënë vetëm pas karriges së pushtetit. Lëvizjet politike do ta përcaktojnë edhe trendin e vërejtur tashmë në kutitë e votimit, në ndëshkimin e keqqeverisjes dhe zgjedhjen e një alternative të re të paprovuar në pushtetin qendror. Partitë nuk duhet të harrojnë se sido që të merren vesh, në tavolinën e punës, qysh të nesërmen, i pret Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, Gjykata Speciale, e plot sfida të shumta në çdo sektor. Më së lehti në këtë situatë është të bësh bllokada. Të shpresojmë se politikanët nuk do ta mundojnë sërish qytetarin e Kosovës. 

(Kosova Sot)