Editoriali: Milionerë me rroga shteti

  • 15 June 2017 - 17:09
Editoriali: Milionerë me rroga shteti

Pasuria e deklaruar në formularët e Agjencisë Antikorrupsion është vetëm maja e ajsbergut shumëmilionësh të politikanëve kosovarë. Biznese të dyshimta, organizata fantome, individë anonimë, qarkullojnë fondet e tyre kriminale. Agjencia vendos me short se kush duhet t'i nënshtrohet verifikimit, por do të duhej që secilit zyrtar shtetëror t'i hulumtohej prejardhja e pasurisë. Rrallë mund të ketë shpëtuar ndonjëri pa "ngjyer" në tortën apo tepsinë e pushtetit. Jo rastësisht bëhet tërë kjo luftë e ashpër politike për t'u bërë deputet, ministër, sekretar ministrie, drejtor kompanie publike, ambasador, anëtar e kryetar bordesh, etj., etj. Kudo ku qarkullon paraja publike jo vetëm dyshohet, por në fakt ka hajni, korrupsion e krim të organizuar. Qindra e mijëra zyrtarë nuk do të dinin kurrë se si ta justifikonin pasurinë e krijuar gjatë një periudhe të shkurtër, që çuditërisht përkon me kohën kur ata kishin pozita të larta vendimmarrëse. Shumica e tyre nuk e fshehin luksin marramendës. Ata bëjnë pushime të shtrenjta, kanë vetura dhe shtëpi luksoze në lagjet e milionerëve. Po të kishte një kornizë të qartë dhe të ashpër ligjore, e bllokuar qëllimisht prej oligarkëve në pushtet, secilit zyrtar të korruptuar do t'i dridhej toka nën këmbë. Fatkeqësisht, sindromi i pasurimit të shpejtë e të paligjshëm vërehet te secili që vishet me pushtet, ndërsa sistemi i drejtësisë është duke heshtur përballë zhvatjes së shtetit. Vetë gjyqtarët dhe prokurorët kanë bërë pasuri të pajustifikueshme, duke abuzuar me ligjin dhe të drejtën. Kjo kastë e krerëve të drejtësisë është e interesuar të mos "shprushë" në këtë drejtim, prandaj hesht dhe nuk ndërmerr asnjë hap drejt verifikimit të pasurive të dyshimta dhe konfiskimit eventual të tyre. Por, një situatë e tillë nuk mund të zgjasë pafundësisht. Kosova nuk mund të ecë përpara pa e pastruar shtetin nga të korruptuarit, pa e bërë VETTING-un në sistemin gjyqësor dhe prokurorial dhe gjithandej nëpër të gjitha institucionet e shtetit. Qeveria e re, shpresojmë e reformuar, nëse formohet, duhet ta ketë në rend të parë transparencën maksimale për çdo veprim, sepse vetëm kështu do të dihet saktësisht se nga rrjedh pasurimi prej milionerësh i secilit zyrtar të lartë, në të gjitha pushtetet dhe nivelet.

(Kosova Sot)