Editoriali: Mendoni një herë për Republikën!

  • 20 June 2017 - 16:59
Editoriali: Mendoni një herë për Republikën!

Gjatë këtyre ditëve politikanët mund të tregojnë para qytetarëve që i votuan, dikë më shumë e të tjerë më pak, vullnetin e tyre për t'u shkëputur nga e kaluara inkriminuese, nga korrupsioni i votës, nga klientelizmi dhe nepotizmi, nga zhvatja e pasurisë publike. Këtë fytyrë të re mund ta bëjnë së pari duke filluar nga formimi i Qeverisë, e cila, bazuar në rezultatin e deritashëm, është vështirë të krijohet nga njëri bllok i caktuar ose njëra parti e vetme. Nëse kjo garniturë politike aktuale e ka seriozisht që të punojë për shtet, atëherë e ka mundësinë që të gjejë një zgjidhje optimale, duke mos u kacafytur, siç dinë të bëjnë zakonisht për karrige, por duke gjetur rrugëdalje nga bllokada eventuale që na pret në ditët e javët e ardhshme. Bazuar në situatën e rëndë me të cilën përballet Kosova, në proceset e bllokuara si Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, është i domosdoshëm formimi i një qeverie me bazë të gjerë. U takon krerëve të partive, partnerëve në koalicione, të reflektojnë, bazuar në rezultatet, në gabimet që i kanë bërë në të kaluarën, për të ecur përpara, duke treguar unitet politik e kombëtar. Sot, çmohet më së shumti ai që do të punojë për Republikën e lënë pas dore, të shkelur e të nëpërkëmbur, e jo ata që do të vazhdojnë të bëjnë kalkulime të pista pushteti, duke harruar qytetarët, të cilët kërkojnë angazhim serioz nga pushtetarët. Secila parti do të duhej të rezononte në këtë aspekt, duke lënë në plan të dytë pozitat, ministritë, për të zgjatur dorën e bashkëpunimit e për t'ia rikthyer shpresën këtij vendi. Politikanët që na kanë sjellë kaq kokëçarje e dëshpërim, hajni e korrupsion, ia kanë borxh këtij vendi që të paktën kësaj here të mos shkaktojnë sërish bllokadë e të mos i nxisin njerëzit prapë ta braktisin Kosovën. Është momenti i fundit që të punohet për Republikën!

(Kosova Sot)