Editoriali: Qeveria e re t'u shërbejë dhe jo t'i sundojë qytetarët

  • 21 June 2017 - 17:14
Editoriali: Qeveria e re t'u shërbejë dhe jo t'i sundojë qytetarët

Problemi kryesor, që e kanë partitë tona, të mëdha apo të vogla, qofshin, është se në momentin që arrijnë të jenë pjesë e pushtetit, atë hise që u bie në pazaret politike, e konsiderojnë si pronë private. Secili subjekt, kush më shumë e kush më pak, varësisht nga fuqia që ka, e shfrytëzon mundësinë për të qeverisur, që të rrisë përfitimet partiake, klanore, individuale, por fare pak, ose aspak, nuk mendon për të kryer misionin ligjor dhe kushtetues-shërbimin ndaj publikut. Si rrjedhojë, nuk kemi pse të befasohemi, kur shohim formularët e antikorrupsionit të zyrtarëve të lartë, politikanëve që me vite në vend të qeverisjes, në fakt e sundojnë këtë vend, për fat të keq - me votën e vetë të sunduarve. Pushtetarët mburren gjithnjë se po korrin suksese, po e zbukurojnë Kosovën, por e vërteta është ndryshe. Shumica jeton në varfëri, janë me mijëra familje që nuk plotësojnë as nevojat elementare e oligarkët e kompromentuar, numërojnë milionat, bëjnë jetë luksi. Sundimi i tyre e ka polarizuar së tepërmi Kosovën dhe si rrjedhojë, njerëzit duan thjesht të ikin një orë e më parë. Nëse edhe kësaj here nuk do të bëhet një qeveri e aftë për t'ua kthyer shpresën qytetarëve, kjo do të ishte një goditje e papërballueshme për vendin. E ardhmja është në pikëpyetje të madhe, ndërsa e tashmja e mjegullt, nëse vazhdohet me mentalitetin keqqeverisës. Politikanët kosovarë, të cilët kanë në duart e tyre vendime të rëndësishme për kursin, që do ta marrë Kosova pas 11 qershorit, duhet të jenë të vetëdijshëm për momentin në të cilin gjendet shteti ynë dhe të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. Nuk mund të ketë qeverisje efektive dhe shpresëdhënëse, me figura të konsumuara, me njerëz të pazotë e servilë, të pandershëm e të inkriminuar. Nëse nuk ka llogaridhënie për çdo gjë publike, që administrohet nga dhjetëra të emëruar me nepotizëm, militantë, drejtorë të dështuar e të korruptuar, anëtarë të kompromentuar bordesh, agjencish etj., atëherë nuk ka rezultate në asnjë lloj qeverisjeje. 

(Kosova Sot)