Editoriali: Origjina e pazbardhur e milionave

  • 22 June 2017 - 17:04
Editoriali: Origjina e pazbardhur e milionave

Agjencia Kundër Korrupsionit përzgjodhi me short zyrtarët e lartë, të cilëve do t'u hetohet pasuria që e kanë deklaruar. Vetëm një pakice mund t'u bëhet ky lloj verifikimi, i cili asnjëherë nuk ka rezultuar të jetë serioz dhe me ndonjë pasojë penale për deklaruesit. Shumicës së zyrtarëve të lartë askush nuk ua kontrollon origjinën e pasurisë së deklaruar. Agjencia Kundër Korrupsionit është e kufizuar në veprimin e saj, ndërsa në rastet kur ka dyshime ajo që mund të bëjë është dërgimi i ndonjë kallëzimi penal në Prokurorinë e Shtetit. Por, zakonisht organi i akuzës i ka refuzuar këto kallëzime, me arsyetimin se nuk kanë prova të mjaftueshme. Korniza ligjore që është në fuqi më tepër e ka komplikuar verifikimin e pasurive të dyshimta të pushtetarëve, sesa ka vendosur një standard të rreptë kontrolli. Nëse analizohen me kujdes formularët e deklarimit të pasurive, vërehet se shumica e deklaruesve kanë dy e më shumë burime të ardhurash nga sektori publik. Ndërkohë, thuajse secili prej zyrtarëve i ka të punësuar bashkëshortet ose bashkëshortët, në sferën publike ose edhe në atë private, duke treguar qartë se ka lidhje interesi dhe klienteliste të qarta. Mjafton të hetohen këto lidhje, për të parë se pjesa dërrmuese e zyrtarëve të lartë shtetërorë pasurohen falë dallavereve që bëjnë duke abuzuar me pozitat shtetërore. Por, fatkeqësisht, askush nuk merret me këtë lloj hetimi, sepse edhe ata që do të duhej ta bënin një punë të tillë, me gjasë, janë të kompromentuar. Hedhja e një shorti, pra, nga Agjencia Kundër Korrupsionit, është më tepër një hedhje hi syve opinionit publik sesa një zbardhje e origjinës së pasurisë së zyrtarëve të lartë kosovarë. Një situatë e tillë do të vazhdojë derisa në pushtet do të qarkullojnë politikanët e njëjtë dhe nuk do të ndryshojë mentaliteti qeverisës.

Kjo mostransparencë dhe mbrojtje e hapur shtetërore për të korruptuarit dhe të inkriminuarit është degraduese për shtetin dhe rrënuese për demokracinë tonë të re. 

(Kosova Sot)