Editoriali: Të heshtësh përballë krimit

  • 24 June 2017 - 17:03
Editoriali: Të heshtësh përballë krimit

Publikimi i raporteve të Zyrës së Auditorit të Kosovës, si zakonisht, kalon në heshtjen e institucioneve, e sidomos në pasivitetin total të Prokurorisë së Shtetit. Në dhjetëra mijëra faqe të audituara mund të gjesh lloj-lloj shkeljesh, abuzimesh, shpërdorimesh, të zyrtarëve të niveleve të ndryshme të institucioneve, qoftë të pushtetit lokal apo edhe atij qendror. Nuk duhet të jesh ekspert, as prokuror, apo gjykatës, që të vëresh se nuk janë të pakta rastet kur konstatohet se ka keqpërdorim të parasë publike, shkelje flagrante të ligjit, shmangie të përgjegjësisë etj. Për shembull, rasti i evidentuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kur paguhet qiraja e një banese për një ambasadë, edhe pse aty ka gati një vit që nuk banon askush. Është fjala për dhjetëra mijëra euro të taksapaguesve kosovarë që shpërdorohen, ndërsa, fatkeqësisht, askush nuk mban përgjegjësi, askujt nuk i kërkohet llogaridhënie, asnjë organ kompetent nuk ndërmerr as hapin më të vogël për ta adresuar rastin. Organi i akuzës është shumë pasiv dhe i përgjumur, në kohën kur publikohen në seri raportet e auditimit për vitin e kaluar dhe një gjë e tillë është e pafalshme. Prokuroria e Shtetit do të duhej të kishte një skemë të qartë veprimi, ekspertizë profesionale dhe staf të posaçëm, për të trajtuar secilin raport të auditimit. Në këto raporte nuk janë të evidentuara të gjitha shkeljet që bën pushteti, por plot prej tyre janë të argumentuara me fakte e prova të bollshme, të cilat edhe prokurori më i dobët mund t'i marrë e t'i përfshijë në një aktakuzë të mundshme ndaj zyrtarëve përgjegjës. Praktika e deritashme dëshmon se edhe nëse ndërmerret ndonjë veprim nga organet hetimore, zakonisht trajtohen raste minore, ku nuk përfshihen ose nuk inkriminohen 'peshqit e mëdhenj' të Qeverisë. Ky standard i dyfishtë i amniston zyrtarët e lartë, ata të cilët deklarojnë pasuri të pajustifikueshme në formularët e antikorrupsionit, që nuk i verifikon askush. Derisa nuk do të ketë veprime të rrepta ligjore dhe administrative ndaj shkelësve në institucione, abuzimi i tyre nuk do të ndalet, por rrezikon të rritet në të ardhmen.

(Kosova Sot)