Editoriali - Kah po shkojmë kështu...

  • 03 July 2017 - 17:13
Editoriali - Kah po shkojmë kështu...

Rasti tragjik i vdekjes së një të moshuari në Gjilan, i cili nuk ndihmohet nga askush, ka nxitur një valë të re debati në rrjetet sociale. Pamjet e rënda, që u shpërndanë në internet, shfaqin një mungesë ndihme, humanizmi dhe solidariteti, për të cilat populli ynë krenohet aq shumë. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, referuar rasteve emergjente për mosdhënie të ndihmës së parë, neni 191 tregon se kryerësit e kësaj vepre mund të përballen me ligjin. I mbetet drejtësisë të provojë nëse dëshmitarët e rastit kanë provuar të thërrasin emergjencën apo t'ia japin ndihmën e parë viktimës. Sidoqoftë, kjo ngjarje e dhimbshme është edhe një ilustrim i radhës i degradimit të rëndë të shoqërisë sonë. Në një kohë kur, në vende të ndryshme të botës, kemi shembuj trimërie e devotshmërie, humanizmi e shpëtimi të jetëve, nga bashkëkombësit tanë ja çfarë na shohin sytë… E pafalshme, e papërgjegjshme, e rëndë, sa më nuk ka ku të shkojë! Çfarë i ka ndodhur këtij populli, që gjithmonë është shquar për ndjeshmëri të thellë, në ditë të vështira, për solidaritet e humanizëm, për mbështetje e kurajë?! Pasojat e keqqeverisjes shumëvjeçare, të kalbjes së sistemit shtetëror, të rrënimit të vlerave, janë më të dukshme se kurrë. Ato shfaqen si në rastin e Gjilanit, por edhe në shumë ngjarje të tjera. Nuk ka pasur kurrë më herët një indiferencë kaq tronditëse ndaj çdo gjëje,ndaj dukurive negative, ngjarjeve të rënda, veprimeve të papërgjegjshme. Fati i njeriut në këtë vend është i lënë pas dore, ashtu si jeta e të ndjerit. Ky shtet është ndërtuar mbi bazën e korrupsionit dhe zhvatjes, larg interesit qytetar, në kurriz të së mirës publike. Brezat e rinj nuk rriten me frymën e shëndoshë të humanizmit dhe solidaritetit, por janë viktimë e keqarsimimit, keqedukimit dhe mungesës së shpresës. Duke mos dashur të shpëtojmë jetën e një njeriu, që mund të ishte secili prej nesh, tregojmë se nuk e duam vendin në të cilin jetojmë. Kjo është pasojë e një lidershipi të mbrapshtë, që ka rrënjosur në mendjet e qytetarëve një të keqe me pasoja të paparashikueshme tashmë!

(Kosova Sot)