Editoriali - Gati për dialog me Serbinë, por jo me njëri-tjetrin

  • 04 July 2017 - 17:20
Editoriali - Gati për dialog me Serbinë, por jo me njëri-tjetrin
I pari i Republikës së Kosovës ka nxituar menjëherë pas zgjedhjeve të 11 qershorit, të marrë stafetën e bisedimeve me Serbinë, duke nisur edhe zyrtarisht fazën e re në Bruksel, në takimin me homologun e tij serb. Kjo gatishmëri e pritshme dialogu nga presidenti kosovar, i cili udhëhoqi sa ishte në pozitën e kryeministrit procesin negociator, që rezultoi me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vende e disa marrëveshje të tjera, është pritur me paqartësi në mjedisin tonë politik. Ende pa u konstituuar institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare, partitë nuk kanë ndonjë qëndrim të qartë për ecurinë e dialogut Prishtinë-Beograd, ndërsa dihet se një ndër marrëveshjet më të kontestuara, ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka ngecur prej kohësh, edhe pse është një ndër detyrimet e marra përsipër nga pala kosovare në takimet e Brukselit. Kalimi i paralajmëruar i dialogut në nivelin presidencial ua mundëson protagonistëve të deridjeshëm, Thaçit e Vuçiqit, të tregojnë në fazën e re, se çfarë kompromisesh të reja mund të bëhen. Ajo që dihet deri tash, është se Serbia mbetet kundërshtare e ashpër e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndërsa ndikimi zyrtar i Beogradit është forcuar sidomos që prej themelimit të Listës Serbe, e cila me gjasë, edhe në formimin e qeverisë së re kosovare do të luajë një rol të rëndë- sishëm. Ndërsa lidershipi shtetëror ka vullnet të bollshëm për të dialoguar me Serbinë, një gatishmëri e tillë nuk shihet në skenën tonë politike. Pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ende pa u certifikuar rezultatet nga KQZ-ja, partitë i kanë "mprehur shpatat" duke iu hakërryer njëra-tjetrës se nuk pranojnë as të dialogojnë. Kjo frymë negativiteti dhe mungesë konstruktiviteti në politikën kosovare, dëshmon se sa e prapambetur është kjo gjeneratë partiake, e cila tallet me fatin e shtetit dhe me vetë qytetarët që i kanë votuar. Fryma e dialogut duhet së pari të rrënjoset në mentalitetin e brendshëm politik, për të zhbllokuar proceset, e jo për të ngritur pengesa të reja të panevojshme.
(Kosova Sot)