Editoriali - Regjimi i papërgjegjësisë

  • 05 July 2017 - 18:43
Editoriali - Regjimi i papërgjegjësisë
Qeveria në detyrë ishte mburrur shpesh se nuk ka asnjë aferë korruptive dhe ministrat po shkëlqenin në fushat respektive. Të paktën sa herë pyetej kryeministri në largim, përgjigjja ishte pak a shumë kjo. Por, e vërteta, ashtu siç edhe pritej, është tjetër. Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës po dëshmojnë përditë e më shumë se edhe në kabinetin 'Mustafa' shkeljet dhe abuzimet janë tepër serioze. Nuk ka dikaster që të justifikohet përballë të gjeturave të ZAPit. Kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse shpërdorimet janë të jashtëzakonshme dhe frikësuese. Askush nuk reagon nga ekzekutivi, asnjë fjalë nuk e nxjerrin partitë, ndërsa drejtësia si zakonisht vetëm hesht. Duke injoruar qindra shkelje ligjore, mbipunësime të paligjshme, dëme të rënda të buxhetit, pushteti ka instaluar një regjim të ri - regjimin e papërgjegjësisë. Ndjeshmëria institucionale, pra, është goditur rëndë nga kjo amnisti e heshtur ndaj shkelësve. Zinxhiri klientelist dhe korruptiv mbush xhepat, punëson miqtë, akraballëkun, militantët, shpërndan tenderët sipas shijeve private, partiake dhe bazuar në ryshfetet eventuale, kurse masat ndëshkimore mbeten një fjalë e huaj. Me një drejtësi të pazonjë, zyrtarët hedhin valle nga gëzimi, mbushin kontot dhe kur largohen nga pozita ia mbathin me valixhet e mbushura. Askush nuk i kontrollon, sepse në këtë shtet nuk ka as Chek Up as Chek In! Të gjendur në këto rrethana të pafavorshme, qytetarët kosovarë duhet të shohin me habi se si shpërdorohen e mira dhe pasuria publike, si u zhvatet buxheti në kurrizin e tyre dhe se si asnjë organ i drejtësisë as nuk tenton të hetojë, të akuzojë, të dënojë, shkelësit dhe shpërdoruesit, abuzuesit dhe të korruptuarit. Politika dhe mafio-oligarkët ua kanë mbyllur gojën atyre që do të duhej ta udhëhiqnin luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit masiv shtetëror. Si rrjedhojë, të nënshtruar ndaj regjimit të ri, presim qeverinë e re nëse do të bëjë ndonjë befasi, gjithnjë në rast se formohet së shpejti!
(Kosova Sot)