Editoriali - Të llastuarit e politikës kosovare

  • 06 July 2017 - 17:09
Editoriali - Të llastuarit e politikës kosovare

Ata nuk e kanë vënë kurrë interesin publik përpara atij personal. Në secilën qeveri, në çdo koalicion, i madh apo i vogël, gjithnjë kanë dominuar pazaret për pushtetin si qëllim më vete, duke shkelur mbi zotimet e përbetimet për të punuar për shtetin. Edhe situata pas 11 qershorit, nuk ka pse të na befasojë, sepse është një déjà-vu, prandaj edhe veprimet e politikanëve janë të lexueshme. Si gjithnjë, sapo kriza shfaqet në horizontin politik, rojet ndërkombëtare hidhen në aksion. Nuk ka asnjë rast, ku ata do të mungonin dhe kjo për faj të partive të paafta të Kosovës, për të krijuar një frymë uniteti, të paktën, një herë në historinë e tyre. Edhe pse janë të vetëdijshme se temat që i kemi përpara si Republikë, nuk mund të adresohen pa një konsensus mbarëkombëtar, subjektet parlamentare të shumicës shqiptare, në paraqitjet e tyre publike, po përhapin një frymë negative me një gjuhë linçuese. Edhe pse e kanë rastin historik, për të kushtëzuar një qeverisje ndryshe, me parime të forta, transparente, në shërbim të qytetarëve, duket se nuk janë të interesuar ta nxisin një zhvillim të tillë, por preferojnë bllokadën ose zgjedhjet e reja. Zgjedhjet i patëm, por zgjidhje nuk dhanë. Mund ta parashohim me lehtësi, se sa do të binte pjesëmarrja nëse eventualisht, vendi shkon sërish në zgjedhje të reja. Pra, kjo nuk mund të jetë alternativë dalëse, sepse na bie në rrethanat e ngjashme. Gjasat që një parti të fitojë shumicën absolute, janë thuajse zero. Sërish partneritetet politike për formimin e qeverisë janë të domosdoshme, por shenjat e deritashme, paralajmërojnë janë të nxehta jo për shkak të temperaturave. Politikanët e llastuar të Kosovës, jo vetëm e zhvatën këtë vend deri në palcë, por paturpësisht, synojnë ta degradojnë duke e zhytur në një bllokadë të re. Një gjë e tillë do të ishte e pafalshme. Me sa duket, do të jenë prapë ndërkombëtarët, ata që do t'i dalin në krye kësaj pune.


(Kosova Sot)