Editoriali - KQZ-ja, një dështim i madh

  • 08 July 2017 - 17:43
Editoriali - KQZ-ja, një dështim i madh
Javën tjetër bëhet fiks një muaj, nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa, vëmendja e opinionit është e përqendruar te formimi i qeverisë së re. Në fakt, brenga kryesore do të duhej të ishte kjo zvarritje a pakuptueshme e certifikimit të rezultatit zgjedhor. Arsyetimet që jep Komisioni Qendror Zgjedhor, duke u justifikuar me sistemin e komplikuar, janë të paqëndrueshme. Miliona euro jep qeveria, sa herë që mbahen zgjedhjet, por duket se problemi nuk është te financat, por të bartësit e procesit. Numërimet e stërzvarritura, rinumërimet, të cilat edhe po prodhojnë emra të rinj deputetësh, për shkak të ndryshimit të numrit të votave, lënë një hije të fortë dyshimi pas. Nëse e kemi parasysh se manipulimet e votës kanë përmasa shumë më të mëdha sesa paraqesin ankesat e kandidatëve në PZAP, atëherë edhe lista e deputetëve të ardhshëm nuk duket të jetë dhe aq legjitime. Por, një pjesë e madhe e kandidatëve, edhe pse janë të vetëdijshëm për hajninë e votave, duke e ditur se çfarë drejtësie kemi dhe çfarë KQZ-je të lodhur, nuk e mundojnë as vetëm mekanizmat kompetentë si PZAP-i apo edhe Gjykata Supreme si instanca e fundit. Ngathtësia që e karakterizon KQZ-në është e jashtëzakonshme dhe e pajustifikueshme. Sikur të bëhej fjalë për miliona vota, që duhen numëruar në mënyrë mekanike, mund të kuptohej një vonesë e vogël, por sidoqoftë, një muaj për një rezultat natyrisht që nuk kapërdihet lehtë nga askush. Problemi nuk është thjesht te sistemi, që mund të përmirësohet, të ndryshohet, të aplikohet një sistem teknologjie më i përparuar, etj. Me menaxherë të dështuar e të korruptuar, zgjedhjet do të kenë gjithnjë një finale të tillë të hidhur. Kur dikush mund ta shohë veten deputet një herë, pastaj befasisht merr vesh se nuk është më pjesë e listës. Po t'i hapim të gjitha ato kuti votimi, është më se e qartë se do të konstatohen shumë parregullsi. Komisionerët e emëruar nga partitë, bashkë me KQZ-në që është gjithashtu në duart e partive, duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë dështim.
(Kosova Sot)