Editoriali: Patatja e nxehtë në dorën e Edi Ramës

  • 10 July 2017 - 17:14
Editoriali: Patatja e nxehtë në dorën e Edi Ramës

Vendimi i autoriteteve të Shqipërisë për ngritjen e çmimit të referencës për pataten e prodhuar në Kosovë rikthen edhe një herë debatin për marrëdhëniet e brishta ekonomike mes dy vendeve. Marrja e një vendimi të tillë, në kohën kur ende nuk janë formuar qeveritë e reja në Tiranë dhe në Prishtinë, qartazi lë hapësirë për dyshime, për mënyrën se si ka ardhur deri te ky hap negativ, që dëmton raportet biznesore Shqipëri-Kosovë dhe godet ashpër prodhuesit kosovarë.

Ngritja e tarifave, që vështirësojnë qasjen e prodhuesve tanë të patates në tregun shqiptar, bie në kundërshtim me zotimet publike, por edhe me vetë marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë respektive, në mbledhjet e përbashkëta që janë mbajtur më herët. Si duket, takimet qeveritare po mbesin si një fotografi e bukur, por problemet nuk janë duke u zgjidhur. Në vend që të shkojmë drejt një hapjeje të plotë të tregut, të paktën të tregut mbarëshqiptar, trendi që po shohim është krejt në anën e kundërt. Tirana dhe Prishtina zyrtare, edhe pse në deklarimet publike zyrtare kanë shprehur vullnet për heqjen e pengesave, në praktikë po e bëjnë të kundërtën dhe këtu përgjegjësia në rastin e patates bie direkt mbi autoritetet e Shqipërisë. Interesat e oligarkëve të biznesit, të lidhur me pushtetarët, vazhdojnë të jenë mbi interesin nacional ekonomik, për një treg të përbashkët, të fuqishëm, ku nuk pengohen prodhuesit, por përfitojnë lehtësira.

Kryeministri që fitoi zgjedhjet në Shqipëri duhet të japë një përgjigje për vendimin e fundit për ngritjen e çmimit të referencës për pataten e Kosovës, sepse gjithnjë e ka gojën plot nacionalizëm, populizëm, gatishmëri për bashkëpunim etj. Shihet qartë se grupet e fuqishme të biznesit, që dominojnë Shqipërinë, nuk e kanë problem të ndikojnë në marrjen e vendimeve të tilla, pavarësisht se mund të dëmtohen prodhuesit e Kosovës. Ky vendim për pataten nuk është një rast i izoluar, por tregues shqetësues i hendekut të thellë që ekziston mes dy anëve të kufirit mes shqiptarëve. 

(Kosova Sot)