Editoriali: Morali politik është në pikën zero

  • 11 July 2017 - 16:59
Editoriali: Morali politik është në pikën zero

Lëvizja "Vetëvendosje", e cila dola e dyta në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit dhe Lidhja Demokratike, e cila u rendit e treta, edhe pse në koalicion me AKR-në dhe disa parti minore, kanë refuzuar ftesën e liderit të AAK-së, i kandiduar për kryeministër nga koalicioni PAN, duke e përforcuar bindjen se ditët në vazhdim mund të jenë të nxehta, jo thjesht për shkak të temperaturave afrikane. Politikanët kosovarë kanë vendosur të mos na befasojnë fare, pra të vazhdojnë me logjikën e kundërshtimit të çdo forme dialogimi, të politikës së inateve, duke u shtyrë në luftën për pushtet, ku ata që e pësojnë dihet se kush janë - qytetarët e varfër dhe të stërmunduar nga kjo keqqeverisje e gjithë këtyre viteve. Është fare e qartë se morali politik është në pikën zero dhe do të jetë e vështirë të shohim ndonjë përmirësim të jetës në Kosovë dhe rikthim të shpresës, me këtë ambient të kontaminuar partiak. Para tre vjetësh, LDK e VV e kishin pranuar kandidatin e njëjtë për kryeministër dhe për gjashtë muaj, bashkërisht, kishin rezistuar, por më pas pazaret e pushtetit i kishin thyer. Sot, refuzimi i dialogut është tregues dëshpërues dhe një veprim, që sigurisht do të nxisë një frymë antagoniste, e cila nuk i shërben aspak stabilitetit të Republikës. Ajo që mund të pritet të ndodhë, pas refuzimit të ftesës për dialog, është krijimi i një qeverie të pakicës shqiptare, që do të varet nga votat e minoriteteve, veçmas të Listës Serbe, e cila direktivat i merr nga Beogradi. Sot, më shumë se kurrë vendit i është dashur një qeveri parimore, transparente, por realiteti tregon se diçka e tillë me këtë klasë politike vazhdon të jetë iluzion në Kosovë. Kriminalizimi i tërë klasës aktuale politike ka humbur shpresën tek qytetarët se nesër mund të jetë më mirë. Qytetarët janë në kërkim të mundësive se si të ikin sa më shpejt nga shteti, për të cilin kishin ëndërruar, shtet ky tërësisht i kapur dhe i udhëhequr nga nëntoka dhe mafia. 

(Kosova Sot)