Editoriali: Ambasadorët në aksion

  • 12 July 2017 - 17:03
Editoriali: Ambasadorët në aksion

Edhe pse asnjë takim mes liderëve dhe ambasadorëve të vendeve mike nuk prodhon ndonjë lajm konkret në lidhje me formimin e qeverisë së re, vëmendja e opinionit publik gjithnjë është e shtuar, në këto raste. Prapaskenat e takimeve rrallëherë zbardhen menjëherë, ndonëse spekulimet janë të gjithfarshme për mesazhet e diplomatëve, të cilët përcjellin qëndrimet e shteteve të tyre. Partitë tona janë zakonisht jotransparente në veprimet e tyre, ndërsa historia e shkurtër politike e Republikës së Kosovës dëshmon se subjektet kosovare asnjëherë nuk kanë qenë të vendosura deri në fund në qëndrimet e tyre. Për shkak të politikës së inateve, që zhvillohet në Kosovë, dhe injorimit të interesit publik për të pasur një qeverisje të mirë, transparente dhe shpresëdhënëse, përzierja e ndërkombë- tarëve është bërë tashmë një praktikë e pashmangshme, si një lloj garancie se të paktën disa parime mund të ruhen me rastin e formimit të qeverisë së re kosovare. Nëse do të ishte thjesht një seri takimesh kurtuazie, nuk do të kishte arsye për t'u bërë aspak kureshtar se çka po bisedojnë liderët tanë me Kuintin, por përmbajtja e këtyre bisedave sigurisht është tepër interesante, që të shihen se si sillen në fakt politikanët kosovarë në raport me ndërkombëtarët. Nga përvoja e viteve të kaluara, dihet se ndryshe kanë deklaruar politikanët kosovarë para takimeve me diplomatët e ndryshe pas takimeve. Deklaratat e tyre shpesh bëhen për konsum të brendshëm, pa ndonjë besueshmëri dhe të paqarta. Deri tani, e përbashkëta e deklarimeve diplomatike është se vendet perëndimore do të pranojnë atë qeveri që e zgjedh Kuvendi, qoftë edhe me 61 vota, edhe pse sugjerimet qartësisht janë që të ketë një mazhorancë stabile me rastin e formimit të qeverisë së re. Por, gjithsesi, Kosova nuk mund të mbetet peng i politikanëve inatçinj e të korruptuar, që pazarin për pushtetin e kanë mbi çdo parim dhe vlerë. Vendi duhet të ecë përpara, të zhbllokojë proceset, të përfitojë liberalizimin e vizave dhe të zërë hapat e fqinjëve, sepse kjo politikë e inkriminuar na ka lënë shumë prapa. 

(Kosova Sot)