Editoriali:Së pari parimet, pastaj qeveria

  • 14 July 2017 - 17:03
Editoriali:Së pari parimet, pastaj qeveria

Të gjithë, jo vetëm i pari në zgjedhjet e 11 qershorit, i janë turrur pushtetit, secili në formën e tij. Për ta bërë më të nxehtë situatën, në këtë garë të përjetshme politike, ditët e fundit nuk po mungojnë edhe polemikat personale, duke gërmuar në rrafshin familjar. Mjafton të shihni rrjetet sociale se sa poshtë ka rënë komunikimi politik në këtë vend dhe çfarë mjerimi parlamentar na pret edhe kësaj here. E ndërsa partitë kalkulojnë pazaret e mundshme, për qytetarin kosovar një gjë është, si gjithnjë, e pasigurt. Si do të dukej qeveria e re dhe mbi ç'bazë do të formohej ajo? Asnjëri kandidat për kryeministër nuk i ka hapur letrat në këtë drejtim, sepse, kuptohet, asnjëri nuk dëshiron të rrezikojë paraprakisht për të humbur mbështetje partiake, klanore, etj. Por, para se të mandatohet kryeministri i ardhshëm e të bëhet qeveria, publiku duhet ta dijë se çfarë do të ndryshojë në ekzekutivin e ri. Nëse do të vazhdohet me traditën e njëjtë, ndarjen mbi baza partiake të bordeve, kompanive publike, ambasadave etj., duke shkelur kriteret e punësimit dhe emërimeve, atëherë asgjë e mirë nuk na pret dhe le ta bëjë kush të dojë qeverinë e re. Një frymë ndryshe do të ishte nëse lidershipi që synon të qeverisë pas 11 qershorit bëhet transparent dhe shpalos, përveç disa emrave, kriteret dhe parimet e qeverisjes së re. Një ekzekutiv bindës do të ishte ai që ka anëtarë të zotë e të dëshmuar në fushat e tyre, njerëz të rinj e të ndershëm, gra të zonja që nuk i mungojnë këtij vendi. Partitë duhet të jenë në gjendje të dalin nga strofka e tyre, për të hapur dyert edhe për kuadro të shquar, që mund të jenë momentalisht në sipërmarrjen e tyre të pavarur, por i duhen shtetit. Këto ditë, opinioni po bombardohet me lajme spekulative, por ajo që duhet ta dimë është nëse do të kemi frymë qeverisëse apo do të vazhdohet me të vjetrën. Dështimi është i sigurt nëse mbetet e dyta. 

(Kosova Sot)