Editoriali: Në fije të perit

  • 15 July 2017 - 17:09
Editoriali: Në fije të perit

Deklarata e përbashkët e Kuintit, pas takimeve që ambasadorët zhvilluan me lidershipin kosovar, është sinjal i qartë se çfarë qeverie pritet të votohet në Kuvendin e ri të Republikës. Parapërgatitja e terrenit, edhe nga diplomatët, se do të njohin çdo qeveri që miratohet nga deputetët e zgjedhur si përfaqësues të popullit, është një përpjekje për të relaksuar ambientin e nxehur politik, pas refuzimit për të negociuar për një qeveri më të gjerë. Debakli i PDK-së, që ia pamundësoi PAN-it, i vetëm ta formojë qeverinë e re, do të ndikojë që, ekzekutivi i ardhshëm, të jetë gjithnjë në tehun e krizës. Sigurimi i dy e më shumë votave të deputetëve, të cilët me siguri se edhe do të shpërblehen për "bujarinë" e e tyre, krijon një varësi të rrezikshme të ekzekutivit, por nëse kjo është rruga e vetme e mbetur, më mirë një qeveri e brishtë, sesa pa qeveri fare! Në këto rrethana të palakmueshme, institucioneve të reja do t'u duhet të punojnë detyrimisht së bashku, pozitë e opozitë, për të shtyrë përpara proceset euroatlantike. Është obligim i këtyre politikanëve, që të vihen, të paktën një herë të vetme, në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit. Nëse partitë demonstrojnë vullnet politik për bashkëpunim, çështjet kryesore do të adresohen me shpejtësi, për të fituar kohën e humbur. Kosova duhet të lirohet sa më shpejt nga temat që na morën shumë kohë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Gjithashtu, liberalizimi i vizave duhet të synohet brenda këtij viti në kuadër të partneritetit pozitë -opozitë, ku askush nuk ka pse të mburret, sepse merita është e popullit të Kosovës, që duhet të dalë nga izolimi. Edhe pse qeveria në ardhje, me gjasë, do të jetë e brishtë në aspektin e numrave, fakti se përballë mund të ketë një opozitë të fortë, do ta detyrojë të punojë mirë, që të mos ketë arsye për t'u rrëzuar shpejt. Sidoqoftë, do të jetë një ekzekutiv në fije të perit.

(Kosova Sot)