Editoriali: Reformimi i drejtësisë të shpallet prioritet kombëtar - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Reformimi i drejtėsisė tė shpallet prioritet kombėtar

Editoriali: Reformimi i drejtėsisė tė shpallet prioritet kombėtar

Në pritje të qeverisë së re, ende nuk dihet se çfarë orientimi programor do të ketë vendi, bazuar edhe në faktin se partitë në fushatën dhjetëditore më tepër improvizuan sesa paraqitën platforma të besueshme qeverisëse. Duke i kushtuar vëmendje më tepër ekonomisë, të cilën oligarkët kosovarë e monopolizuan gjatë sundimit të tyre të deritashëm, u munduan të tregojnë se do të përkushtohen për të hapur dyert për investitorët, për të nxitur punësim dhe zhvillim. Por, e tëra kjo bie në ujë për çdo qeveri që do të krijohet, nëse së pari nuk fillohet nga sfida kryesore. Reformimi i drejtësisë është i domosdoshëm nëse duam të krijojmë një ambient më të mirë për biznes. Kosova nuk do të arrijë të tërheqë kurrë investitorë seriozë, për sa kohë gjykatat dhe prokuroritë tona janë në këtë nivel skandaloz. Besimi në sistemin e drejtësisë është thuajse zero, sepse barazia para ligjit, që është garanci kushtetuese, nuk përfillet asnjëherë. Disa janë më të barabartë se të tjerët, disa janë mbi ligjin dhe shumica duhet të përballen me diskriminim, zvarritje të lëndëve, trafikim të proceseve gjyqësore. Ata që duhet të hetohen dhe ndaj të cilëve duhet të ngrihen aktakuza për krime ekonomike etj., në fakt, amnistohen nga njerëzit e sistemit, sepse është më se e qartë se zinxhiri korruptiv dhe klientelist është shumë i fortë. Shteti duhet t'ua bëjë me dije të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve se vetëm ata që janë të përkushtuar për të punuar për drejtësinë e vërtetë e kanë vendin në gjykata dhe në prokurori. Qeveria e re duhet të ndjekë shembullin e Shqipërisë, për t'ua bërë "rëntgenin" të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga ana tjetër, institucionet nuk duhet të kursehen në ndarjen e buxhetit dhe forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtë- sisë. Pa e ndërtuar shtetin e së drejtës, nuk do të kemi as ekonomi të zhvilluar as vende të reja të punës.

(Kosova Sot)

5 orë e 3 minuta më parë