Editoriali : Vdekje në plazh

  • 18 July 2017 - 17:09
Editoriali : Vdekje në plazh

Pothuaj nuk kalon ditë pa dëgjuar për lajme të kobshme nga bregdeti. Shumica e rasteve, gjatë këtij sezoni turistik, kanë ndodhur në Shqipëri dhe në Malin e Zi. Pushuesit shkojnë për të veruar, por pushimi u kthehet në një tragjedi, e cila mund të ishte parandaluar. Edhe pse nuk ka ndonjë analizë të saktë se pse nuk po ndalen humbjet e jetëve në ujërat e Adriatikut e Jonit, nga faktet që dihen kuptohet se shkaktari më i shpeshtë është mungesa e sigurisë. Rojat e plazhit zakonisht mungojnë në plazhet shqiptare, ndërsa edhe kur janë prezentë, puna e tyre është e pamjaftueshme. Autoritetet në Shqipëri dhe në Ulqin duhet të ndërmarrin masa emergjente, që të shtojnë masat e sigurisë dhe ta ndalin këtë trend frikësues të vdekjeve në det. Sidomos qeveria shqiptare duhet të tregohet më e rreptë në vendosjen e këtyre masave, të cilat kanë kosto shtesë për sipërmarrësit privatë apo për shtetin, në rastet e plazheve publike, që janë pakësuar tashmë, por për jetën e njeriut, shteti duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Në resorte të ndryshme janë investuar miliona euro, por për aspektin e sigurisë nuk jepet asnjë cent. Zhvillimi i turizmit është i ndërlidhur ngushtë edhe me sigurinë e pushuesve, prandaj është më se e domosdoshme, që të rishikohet ky aspekt i dobët prej vitesh. Janë qindra e mijëra pushues që kanë njohuri të pakta për situatat emergjente në ujë, plot prej tyre nuk dinë të notojnë, etj., prandaj edukimi në këtë drejtim, vetëdijësimi më i lartë, shtimi i rojave të plazhit, janë veprime konkrete, të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet kompetente. Pronarët e hoteleve të shumta, që kanë investuar dhe natyrisht kanë fitimet e tyre, duhet të obligohen që t'i kushtojnë vëmendje të posaçme shtimit të sigurisë, kujdesit për pushuesit, që jo rrallë mund të jenë të pakujdesshëm. Sa më shpejt që ndërmerren masa, plot jetë njerëzish do të shpëtohen, sepse me këtë trend, për fat të keq, mund të dëgjojmë sërish lajme të rënda nga plazhi

(Kosova Sot)