Editoriali: Të izoluar, por proevropianë!

  • 19 July 2017 - 17:05
Editoriali: Të izoluar, por proevropianë!

Kosovarët janë të izoluarit e Evropës, por ky fakt nuk i pengon të jenë më proevropianët e Ballkanit Perëndimor. Një hulumtim i organizatës 'Gallup' nxjerr në pah frymën e lartë proevropiane të Kosovës, krahasuar me vendet e tjera, ndërsa Serbinë e lë fare në fund. Megjithatë, shtet fqinj, edhe pse e pengon ecjen e vendit tonë, e lufton pavarësinë dhe e cenon integritetin territorial të Republikës, është gjithnjë e më i afërt me Brukselin. Edhe pse arsyet më të forta për të mos qenë shumë të "nxehtë" në raport me Bashkimin Evropian i ka Kosova, duket se perceptimi është krejtë- sisht tjetër. Shpresa e qytetarëve, edhe pse të lodhur nga keqqeverisjet e njëpasnjëshme, nga degradimi politik, institucional, ekonomik e social, mbetet në shikimin nga Brukseli. Është padrejtësi e madhe që sot vuajmë pasojat e një udhëheqjeje të mbrapshtë, e cila nuk arriti të miratonte një marrëveshje demarkacioni, për të pasur liberalizimin e vizave. Rezultatet e këtij sondazhi, do të duhej të binin në sy të vendimmarrësve tanë, të cilët e kanë shansin e fundit, që të përmirësojnë gabimet e rënda që janë duke i bërë. Të mbetesh kampion i proevropianizmit, edhe pse je i izoluar, nuk mund të lëvizësh i lirë në hapësirën Shëngen, është një dëshmi e potencialit dhe energjisë pozitive që ka ky popull. Por, ajo nuk mund të mbajë pafundë- sisht. Para pak vjetësh, kur e njëjta organizatë 'Gallupi' bënte sondazhe për optimizmin, populli i Kosovës rezultonte më optimisti në botë, por më pas, pësuam rënie në renditjen globale, sepse vendin e optimizmit e zuri pesimizmi. Kështu që, edhe në rastin e orientimit proevropian, që është alternativa e vetme shpresëdhënëse, nuk do të thotë se gjithmonë do të mbetet kështu. Gjërat duhet të lëvizin përpara, në mënyrë që njerëzve t'u justifikohet në një farë mënyrë ndjenja e tyre proevropiane. Kursin e përcakton qeveria e re, e cila duhet ta ketë parasysh shpresën, por edhe zhgënjimin eventual të qytetarëve të lodhur nga pritja e gjatë, që një ditë do të bëhet më mirë edhe për ta.

(Kosova Sor)